Jo vetëm Kukësi, ‘valsi’ i trajnerëve prek disa ekipe
Është periudhë festash, por përtej festimeve të zhurmshme, po luhet ndërkohë edhe një vals trajnerësh, pa shumë bujë e nën zë. Zyrtarisht trajner të ri kërkon vetëm Kukësi, ku Milinkoviç është i larguar, por edhe në skuadra të tjera, Viti i Ri mund të sjellë një tjetër trajner poshtë pemës, edhe pse në këto raste negociatat mbahen të fshehta dhe publikohen kur gjithçka ka përfunduar.
Kështu mbetet për t’u parë nëse do të jetë ende Gugash Magani ‘timonier’ i Teutës, edhe pas festive të ndërrimit të viteve. Tekniku peqinas preferoi të mos dilte në prononcimin e zakonshëm pas disfatës me Skënderbeun dhe me shumë mundësi kërkon të ndryshojë ambient pas një fillim sezoni të vështirë, ku ka shprehur haptazi pakënaqësi në drejtim të një pjese të futbollistëve në skuadrën bregdetare.
Pauza mund të jetë ajo e duhura për lamtumirën, kjo edhe pasi Magani duket se ka përfunduar në fokusin e Partizanit, ku mund të vendosin për të ndryshuar kurs në 2018-ën dhe Sulejman Starova nuk duket edhe aq i blinduar në stol.
Për trajnerin peqinas do të ishte padyshim një rast i papërsëritshëm, një rikthim në futbollin e majave, pas eksperiencës që pati disa sezone më parë me Tiranën. Te Teuta ndërkohë nuk duan të gjenden të papërgatitur në çdo rast dhe në ambientet e klubit durrsak ka nisur të përmendet emri i trajnerit të ri në rast largimi të Maganit.
Profili perfekt është ai i Stavri Nicës. 63-vjeçari nga Durrësi ka punuar një jetë në stafin teknik të Teutës dhe e njeh mirë ambientin, ndërkohë që në eksperiencat e tij jashtë qytetit të lindjes, ka provuar vlerat si trajner i parë.
Te Kukësi ndërkohë alternativat janë disa, por këtu më shumë se sa një vals me ndryshime rolesh, është një ‘valle’ tradicionale, ku ai që vendos se kush do e drejtojë për pjesën e mbetur të sezonit, është pikërisht presidenti Safet Gjici. Ditët e fundit është diskutuar shumë në lidhje me një rikthim të Armando Cungut në pankinën veri-lindore, por nuk mungojnë as emrat e huaj, si malazezi Vukotiç.



