Joao Felix gjen golin, Atletico përmbys Eibarin dhe shkon në +5 nga Barça
Një fitore e madhe me përmbysje ajo e Atleticos së Madridit që në Wanda Metropolitano mposhti 3-2 Eibarin edhe pse e pa veten në disavantazh të dy golave. Me këtë sukses Los Colchoneros u ngjitën në kuotën e 9 pikëve pasi regjistruan fitoren e 3-të rresht dhe e thelluan në 5 pikë avantazhin në renditje ndaj Barcelonës kampione në fuqi. Atletico kryeson me pikë të plota 9 edhe pse të treja ndeshjet e këtij sezoni i ka fituar me rezultat minimal. Charles dhe Arbilla i dhanë avantazhin e dyfishtë Eibarit në harkun e 19 minutave por në të 27-ën erdhi goli i talentit Joao Felix me fanellën e Atleticos në një ndeshje zyrtare me portugezin që e kishte një lojë fëmijësh dërgimin e topit në rrjetë pas asistit perfekt të Diego Costës.
Në fillimin e pjesës Vitolo vetëm pak çaste pasi kishte hyrë në fushë barazoi shifrat ndërkohë që golin e fitores për Atleticon e realizoi një tjetër lojtar i ardhur nga stoli Thomas në minutën e 90-të pas një inkursioni personal për kënaqsinë e Diego Simeones në stol. Tashmë skuadra e El Cholos kryeson e vetme La Ligan me pikë të plota 9. Mori fitoren e parë Valencia që në Mestalla mposhti 2-0 Mallorcan falë dy golave me penallti të realizuar nga kapiteni Dani Parejo.



