Joao Mario ‘bën gati valixhet’, 2 klube në gjurmët e tij
Joao Mario duket se po kalon ditët e tij të fundit në Milano, pasi është i bindur për të ndërruar ambient. Portugezi iu bashkua Interit në verën e 2016-ës, por për asnjë moment nuk arriti të bindë plotësisht dhe të fitojë një fanellë titullari. Kjo ka bërë që 23-vjeçari të kërkojë edhe publikisht më shumë hapësirë, ose largim në një tjetër skuadër, pasi në prag është botërori ‘Rusi 2018’ , ku ai dëshiron të jetë me çdo kusht.
Nga ana tjetër, edhe zikaltrit kanë nevojën e autofinancimit të merkatos dhe me paratë e arkëtuara nga shitja e portugezit, mund të afrojnë ndonjë futbollist tjetër në janar, për të kënaqur sadopak Spallettin. Sipas medieve portugeze, për Joao Marion kanë bërë hapa konkretë vetëm 2 klube, PSG-ja dhe Valencia. Francezët kanë ofruar shkëmbimin kokë më kokë me argjentinasin Pastore, por duket se kjo ofertë nuk i bind plotësisht zikaltrit, duke parë moshën e të dy lojtarëve.
Në të njëjtën kohë, Valencia është ofruar për ta marrë portugezin në huazim me të drejtë blerjeje, ashtu siç bëri me Kondogbianë, por edhe në këtë rast ekziston dilemma te zikaltrit, pasi kanë nevojë për para për merkaton e janarit dhe nuk mund t’i presin ato në qershor. Ndonëse mbi destinacionin ka ende dyshime, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për largimin e Joao Marios, që deri në fund të dhjetorit nuk pritet të ketë asnjë mundësi për të rikuperuar pozitat e tij në hierarkinë e Spallettit.



