Champions League

Juventus i falet Ronaldos, portugezi eliminon i vetëm Atleticon e Madridit

Erdhi te Juventusi për të fituar Ligën e Kampionëve, pasi e kishte bërë këtë gjë 3 herë radhazi me fanellën e Realit të Madridit, ndërsa sonte vendosi thuajse i vetëm kualifikimin e bardhezinjve në çerekfinalet e këtij kompeticioni.

Bëhet fjalë për yllin portugez, Cristiano Ronaldo, i cili zgjidhi i vetëm ndeshjen ndaj Atleticos së Madridit, duke shënuar 3 herë në portën e Ian Obkal, aq sa mjaftonte për të kualifikuar skuadrën e tij.

Bardhezinjtë triumfuan 3-0 ndaj skuadrës spanjolle, një rezultat ky që e zhvlerësoi fitoren 2-0 në “Wanda Metropolitana”, të skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone.

Ronaldo zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, pasi gjuajti saktë me kokë, pas një krosimi të marrë nga Bernardeschi. Të njëjtën gjë portugezi bëri edhe në fillim të pjesës së dytë, kur devijoi në rrjetë krosimin e ardhur nga Joao Cancelo.

Momenti deciziv erdhi në minutën e 85-të, kur arbitri vërshëlleu 11-metërsh në favor të bardhezinjve, pas një faulli në dëm të Bernardeschit, ndërsa nga pika e bardhë Ronaldo nuk gaboi, duke kompletuar tripletën personale.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Manchester City mposhti Schalke 04 me goleadë, duke shënuar plot 7 herë në portën e gjermanëve, ndërsa nuk pësoi asnjë.

Sergio Aguero e nisi goleadën për anglezët, duke shënuar dy golat e parë, ndërsa më pas Sane, Sterling, Foden, Bernardo Silva dhe Gabriel Jesus shkruan emrin në listën e golshënuesve.

Anglezët patën fituar edhe ndeshjen e parë në “Glesenkirchen”, me rezultatin 2-3, ndërsa siguruan kalimin në çerekfinale me një rezultat të përgjithshëm 10-2.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency