Juventus udhëton në Parma, Ronaldo kërkon golin e parë
Në “Enio Tardini” të Parmës, bardhezinjtë e Allegrit në orën 20:30 do të synojnë fitoren e tretë radhazi në këtë kampionat, për të kryesuar të vetëm për një ditë, me pikë të plota.
E gjithë vëmendja edhe këtë herë do të jetë te 5-herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo. Të gjithë presin golin e parë të portugezit me fanellën e Juves dhe sfida ndaj Parmës mund të jetë idealja për CR7-ën, për t’u zhbllokuar.
Ylli portugez ka luajtur për 180 minuta në dy sfidat e para, ku ndonëse bardhezinjtë kanë shënuar plot 5 gola, Ronaldo nuk ka vënë firmën e tij në asnjërin prej tyre.
Edhe sot Ronaldo pritet të shoqërohet në sulm nga kroati Mario Mandzukiç, ndërsa dilema ka për aktivizimin e argjentinasit Paulo Dybala, i cili e pa nga stoli sfidën ndaj Lazios.
Ky takim do të sillet ekskluzivisht në Supersport 2, ashtu si e gjithë Seria A për 3 sezonet e ardhshme, deri në verën e vitit 2021.



