Serie A

Juventus “zbrazi” arkën për Vlahovic, Cassano: Serbi lojtar i “dorës së dytë”, Allegri nuk ndryshon

75 milionë euro, plus 10 të tjera në formën e bonuseve pa përfshirë në këtë mes pagën shtatë milionë euro dhe komisionet për agjentin. Në total një aferë prej më shumë se 100 milionë euro. Kjo është shifra që Juventus vendosi të shpenzojë në merkaton e janarit për të marrë në skuadër një nga sulmuesit më profilikë të Serisë A si Dusan Vlahovic.

Serbi vendosi të lërë Fiorentinën dhe në moshën 22-vjeçare përgatitet të nisë një nga eksperiencat e tij më sfiduese. Pritshmëritë për Vlahovic janë tejet të larta, teksa lojtari ka vendosur t’i shtojë edhe më shumë ato duke veshur fanellën me numër shtatë e cila në vitet e fundit ka qenë e personifikuar me Cristiano Ronaldon. Kjo goditje e bujshme e bardhezinjve shihet si një mesazh i qartë për t’u rikthyer sërish në nivele të larta, megjithatë jo të gjithë besojnë te suksesi i Vlahovic në Torino.

Një nga ata që ka folur hapur kundër këtij transferimi është Antonio Cassano. Ish-futbollisti, thekson se Vlahovic është nxituar me firmën te Juventus, ndërsa shton se për të, serbi mbetet një lojtar i “dorës së dytë”.

“Jam dakord që Agnelli ka bërë një goditje të madhe, por mund të marrësh edhe Messin me Ronaldon dhe Juventus do të vazhdojë të luajë njësoj. Juventus nuk ndryshon aspak me Allegrin në stol. A është e drejtë zgjedhja e Vlahovic? Për mua djaloshi ka gabuar shumë, po tenton të djegë etapat dhe mendoj se më e mira për të do të ishte një transferim në Angli te Arsenal apo Tottenham.

Pastaj, unë e kam thënë edhe më herët, ai ende mbetet një futbollist i “dorës së dytë”. Të luash për Fiorentinën është diçka krejtësisht e ndryshme se të luash për Juventus. Te bardhezinjtë nuk do t’i mjaftojë ajo që ka bërë në Firence, te Juventus duhen titujt dhe të shënojë të paktën 30 gola për sezon”, u shpreh Cassano.

Quiz: Gjeni lojtarët në foto…

Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency