Juvja do konfirmimin ndaj Sassuolos, e fortë edhe në Atalanta-Fiorentina
Faza çerekfinale e Kupës së Italisë mbyllet sot me zhvillimin e dy ndeshjeve, në orare të ndryshme. Kështu, në orën 18:00, do të zhvillohet Atalanta-Fiorentina, dhe në 21:00, Juventus – Sassuolo.
Juventus – Sassuolo, formacionet e mundshme
Bardhezinjtë do t’u besojnë sërish afrimeve të janarit, Zakaria dhe Vlahovic, në këtë “rrugëtim të ri”, por trajneri i Sassuolos, Dionisi, premton “luftë”. Asnjë problem më Zakarian, pas goditjes që mori ndaj Veronës. Ai dhe Arthur do të kenë vend në formacion krah Locatellit. Allegri, në rreshtimin 4-4-2 pritet të aktivizojë nga krahët Cuadradon dhe një mes Rabiot e McKennie, me dyshen Morata-Vlahovic në sulm. Bonucci do të jetë titullar në vend të Chiellinit, që mbetet jashtë për shkak të një problemi në pulpë.
Dionisi i Sassuolo, me shumë mundësi do të bëjë rotacion: Ayhan në vend të Chiriches në mbrojtje dhe Harroui do të ulë në stol një mes Frattesit e Lopezit në mesfushë. Sa u përket lojtarëve të sulmit, mund të pushojë vetëm Traoré.

Atalanta – Fiorentina, formacionet e mundshme
Nëse Gasperini do të konfirmojë rreshtimin 4-2-3-1, mund të ketë një mundësi nga minuta e parë Boga, pas shpinës së Muriel. Përndryshe, me rikthimin e mbrojtjes me tre, Malinovskyi, Pessina e Pasalic do të garojnë për dy vende. Rikthehet Hateboer, sikurse de Roon, që do t’i japë mundësi të pushojë njërit mes Freuler e Koopmeiners.
Trajneri i Fiorentinës, Italiano, do të aktivizojë Terraccianon në portë për shkak të skualifikimit të Dragowskit, Bonaventura e Torreira do të luajnë nga minuta e parë, sepse janë të pezulluar në kampionat. Mund të ketë shans për Castrovillin, ndërsa sulmi mund të ndryshojë, me Piatek krah Gonzalez dhe Ikone.




