Futboll

Juvja për formalitet ndaj Spalit, Interi shans Lautaros kundër Frosinones

Ndonëse ka fituar shtatë tituj radhazi në kampionatin italian, klubi i Juventusit vazhdon të ketë po të njëjtin oreks, madje këtë sezon, me sa duket, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” synojnë që të thyejnë çdo rekord. Sezonin e kaluar, pas 13 javëve në Serinë, A bardhezinjtë ishin mundur nga Lazio e Sampdoria dhe kishin barazuar me Atalantën, ndërsa në këtë edicion kampionët në fuqi kanë rastin për të prekur kuotën e 37 pikëve, teksa presin në orën 18:00, në “Allianz Stadium” ekipin e Spalit. Për të parë “Zonjën e Vjetër” që të humbasë përsëri një ndeshje (pas disfatës me United) ndoshta duhen pritur disa muaj, sepse duke i hedhur një sy kalendarit bardhezinjtë i presin kundërshtarë si Interi dhe Roma pikërisht në Torino.

Mesjavën e ardhshme Juvja do të presë në shtëpi Valencian, takim ku në fakt skuadrës së Allegrit i mjafton edhe barazimi për të kualifikuar mes 16 klubeve më të mira në Champions, sidoqoftë ekipi duket tepër i motivuar për të vijuar rrugën e fitoreve edhe ndaj Spalit, pavarësisht se për momentin mungojnë lojtarë të tillë si Emre Can, Khedira dhe Bernardeschi, për më tepër ndryshe nga ç’ndodh me skuadrat e tjera, Juventusi këtë sezon nuk vuan aspak impenjimet e shumta të lojtarëve në përfaqësueset respektive.

Në mbrëmje, në orën 20:30 Interi do të presë Frosinonen në San Siro me 3 pikët si objektiv të vetëm. Disfata me Atalantën në Bergamo nuk është harruar ende dhe djeg vërtet shumë, sidomos për mënyrën se si luajti ekipi, por mbi të gjitha edhe për zgjedhjet tepër të diskutueshme të trajnerit Spalletti. Frosinone nuk njeh humbje në katër ndeshjet e fundit, gjithsesi trajneri toskan nuk do të ketë në dispozicion dyshen Vrsaljko – Dalbert si dhe mesfushorin Brozovic, ndërkaq duke patur parasysh impenjimin tepër të vështirë në “Wembley” me “gjelat” e Tottenham Hotspur Spalletti pritet të luajë me sulmuesin Lautaro Martinez përpara në vend të Icardit.

Më herët, në orën 15:00, Roma do të përballet në Friuli me Udinezen, që nuk fiton në shtëpi prej plot tre muajsh. “Verdhekuqtë” kanë fituar rresht 10 përballjet e fundit ndërmjet tyre, megjithatë trajnerit Eusebio Di Francesco do t’i mungojnë futbollistë të tillë si De Rossi, Pastore, Perotti dhe Manolas.

Në Spanjë Valencia ka një mundësi të shkëlqyer për të siguruar fitoren e parë në shtëpi, teksa ekipi i Marcelinos do të presë në orën 16:15 në Mestalla Rayo-n e vendit të parafundit, ndërkaq në Francë Paris SG vijon të bëjë përpara me 100% të pikëve, pasi kampionët në fuqi kanë fituar 13 nga 13 ndeshjet në dispozicion në Le Championnat. Këtë herë vendasit në kryeqytet do të përballen në orën 17:00 me Toulouse-n, pa yjet Neymar – Mbappe, të cilët janë në betejë kundër kohës për t’u rikuperuar për sfidën tepër të rëndësishme që klubi parizien do të ketë në mesjavë në Francë me Liverpulin.

Edhe në Holandë PSV Eindhoveni ka grumbulluar 36 pikë në 12 javë kampionat, sidoqoftë në Eredivisie vazhdon edhe këtë javë në distancë dueli për titullin PSV – Ajax. Kështu kampionët në fuqi do të presin në orën 20:45 në “Philips Stadion Heerenveenin, ndërsa Ajaksi do të masë forcat në orën 18:30 në “Rat Verlegh Stadion” me Bredën.

Në Supersport natyrisht nuk do të mungojnë as këtë herë emocionet e kampionatit gjerman, me Bundesligen që ofron fillimisht në orën 15:30 duelin Bayern – Dusseldorf, ndërsa më vonë në 18:30 takimin Schalke – Nuremberg, ndeshje të cilat si zakonisht gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency