Juvja “tërmet 7-ballësh” ndaj Sassuolos, Milani ngec në Udine
Juventusi e ktheu në një lojë fëmijësh sfidën e shtëpisë me Sassuolon për javën e 22-të të Serisë A. Bardhezinjtë fituan me rezultatin e thellë 7-0, duke çuar drejt rrjetës 4 lojtarë të ndryshëm (Khedira dygolësh dhe Higuain tregolësh).
Alex Sandro zhblloi rezultatin që në minutën e 9-të pas një rrëmujë në zonë, ndërsa në të 24-ën devijoi me kokë për Khediran, që shënoi të dytin.
Pak minuta më vonë mesfushori gjerman, i shërbyer nga Pjanic realizoi të dytin personal dhe të tretin për Juven, ndërsa në të 38-ën shtroi një top për Pjanic, që shkarkoi të djathtën nga jashtë zonës për golin e 4-0. Në pjesën e dytë skenën e rrëmbeu Higuain, që e gjeti tri herë radhazi rrugën e rrjetës për rezultatin përfundimtar 7-0, duke marrë me vete edhe topin e ndeshjes.
Milani nuk mundi t’i bënte katër fitore radhazi, pasi u ndal në barazim 1-1 në fushën e Udineses. Kuqezinjtë e nisën shumë mirë takimin, duke kaluar ne avantazh me një perlë të Susos nga rreth 30 metra largësi. Ndëshkimi i Calabrias me karton të kuq në të 64-ën u dha mundësi friulanëve të sulmonin më shumë, derisa në të 76-ën një top i devijur nga Bonucci dhe portieri Donnarumma, i cili ishte i pafat në këtë rast, përfundoi në rrjetë.
Për Atalantën, që si gjithmonë aktivizoi në portë titullar Etrit Berisha, mjaftoi goli i Mancinit ndaj Chievos për tri pikët e radhës.
Fiorentina fitoi 1-2 në fushën e Bolognas me gola të Veretout dhe Chiesas, teksa për vendasit barazoi përkohësisht Pulgar, ndërsa Cagliari – Spal përfundoi me fitoren 2-0 të ishullorëve.



