Ka klasike edhe në Francë e Holandë, PSG pret Marsejën, Ajax sfidon PSV-në
Franca bëhet gati për klasiken e famshme të kampionatit në Ligue 1, teksa Marseja dhe Paris SG do të takohen në përballjen e tyre të parë të këtij sezoni. Bëhet fjalë për sfidën numër 101 në të gjithë kompeticionet, ndërmjet dy prej klubeve me më shumë tifozë në Le Championnat, me plot 19 tituj të fituar në total mes tyre.
Duke llogaritur gjithë titujt në historinë e futbollit francez klubi nga Province krenohet me 10 trofe në elitën e futbollit të këtij vendi, ndërsa klubi i mirënjohur parizien numëron 9 të tillë. Në kampionat kjo llogaritet si Le Classique numër 84 dhe bilanci ndërmjet këtyre dy klubeve është krejtësisht i barabartë, me 19 barazime dhe me nga 32 fitore për secilën skuadër, por me golaverazh 112-104 në favor të ekipit parizien.
Një histori e vecantë për një ndër ndeshjet derbi që përjetohet më shumë në planet, pavarësisht rrethanave apo qoftë edhe pozitave respektive në tabelën e renditjes. Kështu për shembull në edicionin e sivjetshëm në Ligue 1 ekipi parizien kryeson bindshëm me 27 pikë pas 10 javëve të para, ndërsa ekipi marsejez ka grumbulluar vetëm 17 pikë në 9 takime.
Natyrisht skuadra e Jorge Sampaoli-t ka ende për të rekuperuar gjithashtu edhe derbin me Nisën, që u ndërpre për shkak të trazirave të shumta, ndeshje për të cilën më pas drejtuesit e futbollit francez vendosën që të riluhej nga e para. Kurioz është fakti se derbi me Nisën do të zhvillohet pikërisht mesjavën e ardhshme, tre ditë pas klasikes me skuadrën pariziene, por këtë herë me dyer të mbyllura dhe pa praninë e spektatorëve.
Mes dy klubeve natyrisht nuk mund të bëhet dot një krahasim, sepse me yjet që ka në përbërje PSG është ngritur vërtet shumë lart dhe skuadra kryeqytetase mund të konsiderohet që tani si kampione e Francës. Është e qartë që loja nuk është në nivelin e shumëpritur, por duhet kuptuar gjithsesi edhe detyra e vështirë e trajnerit Mauricio Pochettino, i cili nuk kishte fituar absolutisht asgjë në karrierë, para se të mbërrinte në Paris, pikërisht në timonin e skuadrës që po dominon prej vitesh futbollin francez.
Sigurisht nga çfarë është vënë re deri tani kuqebluve iu mungon loja dhe detyra më e vështirë për 49-vjecarin është menaxhimi I ekipit dhe përkëdhelja e egove të gjithë futbollistëve që ka në dispozicion. Sikur të mos mjaftonin ata që kishte në përbërjen e grupit situata është ndërlikuar akoma më shumë për Pochetino-n me mbërritjen e Mesit në skuadër. Sigurisht, duhej të ishte krejt e kundërta, por për hir të së vërtetës duke parë ndeshjet e deritanishme Paris SG e mbështet gjithë lojën te individët.
Pochettino e gjeti befas veten në faqet më të zeza të historisë së klubit, duke humbur në mënyrë të cmendur me skuadrën pariziene një titull që nuk mund të humbej dot, për më tepër kundrejt një klubi modest për nga financat sic është Lila. Këtë herë ndonëse Paris SG nuk shquhet për ndonjë lojë të rrjedhshme apo mirëkuptim të vecantë mes futbollistëve përsëri do të duhet ndonjë kombinim kataklizmik për t’i hequr titullin nga duart klubit kryeqytetas.
Pas tetë fitoreve rresht skuadra e Pochettino-s u mund nga Stade Rennais me rezultatin 2-0, duke i pasur në fushë me radhë gjithë yjet nga Messi e Neymar deri te Mbappe e Di Maria. Për cudinë e të gjithëve PSG e përfundoi atë takim pa asnjë gjuajtje në portë, ndërkohë vlen të theksohet gjithashtu fakti që në muajin e fundit ndonëse nuk kanë aspak nevojë për një ndihmë të tillë kuqeblutë janë ndihmuar dukshëm nga arbitrat në sfidat me kundërshtarë si Lyon, Metz apo dhe Angers, pa harruar gjithashtu edhe ecurinë në Champions, ku krejt ndryshe nga c’tregojnë rezultatet ekipi parizien është dominuar brenda në kryeqytet nga City i Guardiolës dhe skuadra gjermane e RasenBallsport Leipzig.
Një gjë është e qartë tani bookmakers-at kanë reflektuar dhe nuk i besojnë më aspak për të triumfuar në kompeticionin më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, ndërsa sulmuesi Kylian Mbappe e ka ndarë mendjen për t’u larguar përfundimisht nga klubi parizien, duke shpërfilluar kështu të gjitha ofertat marramendëse që vijnë nga Katari.
Në krahun tjetër pavarësisht mbështetjes së madhe dhe përkrahësve të zjarrtë Olimpiku i Marsejës shfaqet si një ekip krejt modest përballë madhështisë që ofrojnë emrat e skuadrës Pochettino-s. Në aspektin futbollistik Marseja duket më e mbledhur dhe më skuadër se sa Paris SG, ku gjërat janë sporadike dhe gjithcka zgjidhet vetëm nga yjet. Në distancë do të jetë një derbi tepër i veçantë pra edhe mes dy trajnerëve argjentinas Pochettino e Sampaoli, sidoqoftë përsa i përket rezultateve duke pasur parasysh edhe kontigjentin e lojtarëve në dispozicion Marseja qëndron me të drejtë shumë më poshtë dhe pasi barazoi me ekipe si Bordeaux dhe Angers klubi nga Province u mposht radhazi në dy sfidat me kundërshtarë si Lensi dhe Lila.
Marseja ka fituar vetëm 1 nga 6 takimet e fundit në të gjithë aktivitetet, gjithsesi kur përballen këto dy klube nuk është se shihet shumë klasifikimi i përgjithshëm apo qoftë edhe ecuria e dy ekipeve. Paris SG ka fituar 7 nga 8 përballjet e fundit mes tyre, por sidoqoftë në shumë raste ka pasur ndërprerje të shpeshta dhe tepër tension, ndërkaq vlen të kujtohet gjithashtu edhe fakti që në fazën e parë të edicionit të shkuar skuadra marsejeze triumfoi 1-0 brenda në kryeqytet, në një duel të nxehtë ku kryesori Jerome Brisard valëviti 14 herë kartonin e verdhë dhe nxorri gjithashtu edhe plot 5 herë të tjera kartonin e kuq. Këtë herë takimi do të drejtohet nga kryesori Benoit Bastien dhe do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin “Orange Velodrome”.
Po ditën e diel në Supersport fansat e Eredivisie-s do të kenë mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe derbin e futbollit holandez Ajax – PSV. Kampionët në fuqi kanë fituar 9 nga 10 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet dhe harkëtarët konsiderohen si një ndër skuadrat që luajnë më bukur në Kontinentin e Vjetër, megjithatë për çudi për momentin ekipi I drejtuar nga trajneri Erik ten Hag kryeson kampionatin me thjeshtë një pikë më tepër se bardhekuqtë e PSV Eindhoven-it.
Futbollistët e Ajaksit nuk njihnin humbje në shtatë sfidat e mëparshme ndërmjet tyre, sidoqoftë në duelin e parë të këtij sezoni mes tyre harkëtarët u shpërfytyruan brenda në Amsterdam, ku pësuan disfatën 4-0 në Superkupën e Holandës nga ekipi i trajnerit Roger Schmidt. De Topper numër 177 në histori do të luhet në orën 16:45 në Stadiumin “Johan Cruijff Arena” dhe do të drejtojhet nga kryesori me origjinë turke Serdar Gozubuyuk.



