Ka marë 1 pikë në 7 ndeshjet e fundit, Benitez konfirmohet në stolin e Everton!
Rafa Benitez konfirmohet si trajner i Evertonit, madje drejtuesit më të lartë të klubit kanë besim të plotë se shumë shpejt rezultatet e ekipit në kampionat do të përmirësohen. Trajneri spanjoll ishte nën presion të jashtëzakonshëm për shkak të ecurisë tepër të dobët dhe rezultateve negative, që e kanë zbritur klubin e mirënjohur nga Merseyside në gjysmën e dytë të klasifikimit të Premier League-s, megjithatë këtë herë 61-vjecari madrilen mori mbështetje të plotë nga vetë numri 1 i klubit, Farhad Moshiri, që shfaqi besimin e tij se situata në renditje do të ndryshojë shumë shpejt për mirë. “Toffees” u dominuan brenda në Goodison Park nga ekipi i Liverpoolit, që fitoi jashtë fushe derbin e nxehtë të Merseyside me rezultatin e thellë 4-1. Disfata e tretë rresht në kampionat për blutë dhe e gjashta në tetë sfidat e fundit të Premiership-it anglez, një ecuri e tmerrshme që është ndikuar padyshim edhe nga mungesat e shumta që ka pasur herë pas here trajneri veteran.
Vetëm në derbin e fundit trajneri i njohur iberik nuk pati në dispozicion emra të tillë si Dominic Calvert–Lewin, Tom Davies, Andre Gomes, Mason Holgate dhe Yerry Mina, ndërsa më herët në fazën e rehabilitimit ishin edhe shumë futbollistë të tjerë, sidoqoftë tani lojtarët po riaftësohen pak e nga pak dhe kjo gjë i shtyn krerët e klubit për të besuar se gjendja do të përmirësohet shpejt. Të vetmen fitore në 11 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet ekipi i Evertonit e ka regjistruar në shtëpi ndaj Norwich City-t me rezultatin 2-0, gjithsesi pavarësisht kundërshtarëve të vështirë që kanë “toffees” deri në “boxing day” blutë të paktën nuk do të kenë të njëjtën ngjeshje kalendari si shumë skuadra të tjera që janë ende në garë në Kupën e Lihës, pasi klubi i Evertonit u eliminua në Carabao Cup që më datën 21 shtator, pra afërsisht dy muaj e gjysmë më parë, në Stadiumin Loftus Road në fazën e 1/16 nga ekipi londinez i Queens Park Rangers-it, pas gjuajtjeve të 11-metërshave,ku për hir të së vërtetës goditjen përcaktuese e humbi Tom Davies, në penalltinë e 16.
Me vetëm 1 pikë në 7 takimet e fundit Evertoni pozicionohet aktualisht në vendin e 14 në Premier League, në kuotën e 15 pikëve, vetëm pesë pikë larg zonës së rrezikshme. Rafael Benitez nuk ishte një zgjedhje popullore për tifozët e Evertonit, duke marrë parasysh të kaluarën e trajnerit të famshëm madrilen dhe periudhën e suksesshme të veteranit spanjoll gjatë gjashtë sezoneve në krye të rivalëve të përbetuar të Liverpoolit, që kulmoi natyrisht në vitin 2005 me “mrekullinë e Stambollit” në finalen e paharrueshme ndaj Milanit në Champions League. Farhad Moshiri ka pjesën më të madhe të aksioneve te klubi i Evertonit dhe fjalët e tij duken si një deklaratë e fortë votëbesimi. Miliarderi britanik me origjinë iraniane deklaroi në “talksport” për prezantuesin Jim White se nuk ka aspak ndër mend për të shkarkuar në javët në vazhdim një trajner si Benitez. 66-vjecari i cili sipas prestigjiozes Forbes zotëron një pasuri prej 2,7 miliardë dollarësh tha se sporti i futbollit i përmban të gjitha, një ditë bëhet fjalë për krizë, ndërsa ditën tjetër për sukses. Moshiri shpjegoi se në javët e ardhshme ekipi pritet të kompletohet dhe trajneri Rafa Benitez do të ketë një kontigjent të plotë lojtarësh për të bërë zgjedhjet e tij. Bosi i klubit deklaroi se trajnerëve iu nevojitet koha e nevojshme për të arritur rezultatet e duhura dhe ai shprehu besimin se me Rafën në timon ekipi do të përmirësohet ndjeshëm në pjesën e dytë të sezonit.
Gjashtë muaj më parë Rafa Benitez zëvendësoi veteranin italian Carlo Ancelotti, që pranoi ofertën e marrë nga presidenti Florentino Perez për t’u kthyer në Spanjë te Reali i Madridit, sidoqoftë në adresë të Farhad Moshiri-t ka pasur vazhdimisht vërejtje në lidhje me politikën e transferimeve, paratë e shpenzuara dhe blerjet e shumta. Të fundit që iu shtuan kësaj liste janë dy ish-futbollistët e Liverpulit Steve McManaman dhe Joe Cole që kritikuan ashpër metodat e ndjekuara nga Moshiri si dhe lëvizjet pa kriter të lojtarëve te Evertoni, duke pasur parasysh investimet e shumta dhe të pajustifikueshme që ka bërë ky klub me synimin për t’u rikthyer te kohët e lavdishme.



