Ka thyer shtyllën kurrizore, nipi i legjendës Schumacher aksidentohet rëndë në pistë (fotot)
Lajm i keq për familjen Schumacher. Nipi i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, ka thyer shtyllën kurrizore në një aksident të tmerrshëm në Gjermani. David Schumacher pësoi lëndime të rënda pas një përplasjeje me Thomas Preining gjatë eventit DTM të së shtunës në Hockenheimring.
Të dyja makinat po luftonin për pozicionin e parë pas largimit të makinës së sigurisë, kur patën një kontakt me njëra tjetrën dhe përfunduan në barrierat mbrojtëse. Përplasja ishte shumë e fortë, aq sa makinat fluturuan në ajër për të përfunduar sërish në pistë. Në këtë aksident u përfshi edhe një makinë e tretë, që mori flakë në mes të pistës, duke bërë që gara të ndërpritej.
Të gjithë pilotët e përfshirë në aksident u dërguan për kontrolle mjekësore, por fatkeqësisht për 20-vjeçarin David Schumacher diagnoza ishte më e rëndë: frakturë e një rruaze të shtyllës kurrizore.
Babai i tij, Ralf Schumacher, tha për revistën “Motorsport” se “Kur David erdhi në shtëpi, po ankohej për dhimbjen në kurriz. Vendosëm ta dërgonim në spital dhe skaneri tregoi thyerje të një vertebre. Na thanë që duhet të qëndrojë 6 javë pushim, por nuk ka nevojë për operim”.




