Kalari: Ka entuziazëm dhe optimizëm, renditja nuk shihet para derbit
Gazetarja e SuperSportit, Albana Bejko, mundi të bënte një intervistë të shkurtër me zëvendëstrajnerin e Partizanit, Reinaldo Kalarim, pranë hotelit ku janë akomoduar të kuqtë. Ish-mbrojtësi i të dyja skuadrave theksoi se renditja nuk ka asnjë ndikim në derbi dhe se pret fitoren e të kuqve.
“Zhvilluam një seancë të fundit për të përcaktuar strategjinë gjatë ndeshjes. Situata është e qetë, ka entuziazëm, sepse ta jep vetë derbi. Përveç lojtarëve që janë të dëmtuar, në përgjithësi gjendja paraqitet e mirë, shpresoj të jetë dita jonë për ta fituar derbin.”
Rikthimet: “Tani që është fundi i vitit dhe me dëmtimet që kemi pasur, kthimet janë të rëndësishme. Kaçe, Belica dhe Junior janë stërvitur me grupin në të gjitha ditët pas ndeshjes me Kukësin, kështu që janë gati për derbin.
Nuk vlen renditja para derbit: Derbi nuk i njeh problemet skuadrave. U pa edhe në ndeshjen ndaj Kukësit që na ka munguar vetëm rezultatit. Ka entuziazëm dhe optimizëm, para derbit nuk e shohim tabelën. As që vihet në diskutim që të ndihemi më të vegjël. Shpresoj se do të kemi mbështetjen e tifozëve, shpresoj që të jenë sa më të shumtë në stadium.
Premio? “Dhuratat e drejtuesve nuk i kanë munguar skuadrës, shpresoj që sot do t’i bëjmë të lumtur të gjithë, nga presidenti, tifozët dhje familjet tona, për të vazhduar vitin e ardhshëm dhe arritur aty ku duhet të ishim. Shpresoj që përveç së mirë të marrim edhe fitoren.”



