Kalendar ferri për Tiranën/ Katër derbi, Vllaznia e Kukësi, të gjitha brenda një muaji
Tirana mori një tjetër fitore, këtë herë 3-2 ndaj Teutës në “Elbasan Arena” dhe u shkëput në krye të renditjes së Abissnet Superiores me 11 pikë pas 5 javësh.
Megjithatë malorja për bardheblutë fillon pikërisht tani, pasi në harkun e pak ditëve e presin 6 sfida të jashtëzakonshme për nga rëndësia dhe kundërshtari që kanë përballë.
Gjithçka nis me derbin ndaj Partizanit të hënën e ardhshme në “Air Albania”, aty ku “të kuqtë” do të kërkojnë fitoren e parë sezonale, ndërsa 5 ditë me vonë do të udhëtojnë drejt Shkodrës për t’u përballur me Vllazninë në “Loro Boriçi”.
Pas këtyre dy sfdave radhën e kanë dy derbi radhaz ndaj Dinamos, njëri në Kupën e Shqipërisë dhe tjetri i vlefshëm për javën e 8 të kampionatit. Pikërisht kjo përballje do të jetë e fundit para pushimit 10-ditor për shkak të grumbullimit të kombëtareve për eliminatoret e Botërorit.
Megjithatë edhe në rikthimin pas ndërprerjes Tiranën e pret sërish Dinamo, këtë herë për ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë dhe më pas turi i forcës mbyllet një muaj më vonë, pas mesit të nëntorit, me përballjen ndaj Kukësit, e vlefshme për javën e 9 të Superiores.
Kalendari i Tiranës:
Tirana- Partizani 25.10.2021 (Java 6)
Vllaznia-Tirana 30.10.2021 (Java 7)
Dinamo-Tirana 3.11.2021 (Kupa e Shqipërisë
Tirana-Dinamo 6/7.11.2021 (Java 8)
Tirana – Dinamo 17.11.2021 (Kupa e Shqipërisë)
Kukësi-Tirana 21.11.2021 (Java 9)



