Kalendar i fortë, por asnjë humbje, Skënderbeu e Laçi kanë me ç’të krenohen
Të pamposhtur pas 5 javësh kampionat. Vetëm dy skuadra mund të krenohen me këtë statistikë, Skënderbeu dhe Laçi. Për të bardhekuqtë, edhe pse përpara se të niste gara perceptimi ishte që ekipi vinte jo në nivelet e viteve të fundit, fusha e blertë po reflekton të kundërtën. Te kampionët në fuqi receta e ndërthurjes së elementëve të rinj dhe atyre më përvojë po rezulton më se efikase, të paktën për momentin.
Krenaria është akoma edhe më e madhe si për teknikun Orges Shehi edhe për lojtarët, të cilët kanë arritur t’u bëjnë ballë disa sfidave delikate, siç kanë qenë ato ndaj Partizanit, Flamurtarit, Lacit apo Tiranës së fundmi. Mantelin e kampionit në fuqi klubi korçar po e mbron denjësisht. Sigurisht që hapësira për t’u vetëkënaqur nuk ka, por, tani për tani, periudhës pozitive i kënaqen të gjithë.
Situatë që sigurisht do të shfrytëzohet për t’u dhënë lojtarëve forcë dhe besim se në të tillë hapa mund të vazhdohet gjatë.
Korçarët nuk janë të vetëm. Laçi gjithashtu ka shfaqur një formë të mirë fizike, por edhe lojë. Kurbinasit janë një emër i konfirmuar në superiore. Çdo sezon klubi qëndron mes kandidatëve potencialë për një biletë në kupat Europës, teksa këtë herë pretendimet në bazë të asaj çka po bëjnë mund të krijojnë shteg për të synuar diçka me tepër, siç është trofeu i titullit kampion.
Kalendari nuk ka qenë në anën e bardhezinjve, por të evitosh humbjet në duele si ndaj Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut e bën Laçin të jetë krenar për atë çka ka arritur deri më tani.



