Kalendari i Shqipërisë U19 për Euro 2020: Ndaj Francës në Rrogozhinë, ku luajmë me Serbinë
Federata Shqiptare e Futbollit po përgatitet të mirëpresë një tjetër kompeticion të rëndësishëm europian pas finales së Conference League, që do të luhet në “Air Albania”.
FSHF do të organizojë ndeshjet eliminatore për Kampionatin Europian 2022 për Kombëtaren e meshkujve U-19.
Kuqezinjtë e vegjël drejtohen në stol nga Armando Cungu, teksa kanë rivalë në grupin e tyre kombëtare si Franca, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Të gjitha ndeshjet e grupit 7 do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 10, 13 dhe 16 nëntor.
Kombëtarja U19 do të luajë takimin e parë kundër Francës më 10 nëntor (14:00), përballje që do zhvillohet në stadiumin e Rrogozhinës. Tre ditë më vonë vjen Serbia, të cilën e presim në “Elbasan Arena” (14:00).
Ndeshja e fundit e grupit 7 do zhvillohet ndaj Maqedonisë së Veriut, më 16 nëntor në “Elbasan Arena”, duke nisur prej orës 16:00.




