Kalendari/ Java e 11-të e Superiores, spikat sfida mes Teutës dhe Vllaznisë
Java e 11-të e Abissnet Superiore do të ndahet në dy ditë, teksa ndeshjet do të luhen të premten dhe të shtunën. Spikat sfida e së premtes mes kampionëve në fuqi, Teutës dhe kampionëve në fuqi të Kupës së Shqipërisë, Vllaznisë. Të dyja këto ekipe në vitin e kaluar luftuan deri në javën e fundit për titull, ndërsa tashmë janë disi mbrapa ndaj sfida merr një rëndësi të veçantë. Kujtojmë se në këtë sfidë do të vijë edhe debutimi i Renato Arapit si trajner i Teutës.
Ndërkohë, po të premten ka një tjetër ndeshje e cila pritet të jetë shumë e luftuar teksa Laçi luan ndaj Dinamos. Kurbinasit pësuan humbjen e parë në këtë javë ndaj Vllaznisë dhe i duhet të reagojnë, ndërsa nga ana tjetër, dinamovitët presin vazhdimësinë pas suksesit me Kastriotin.
Sakaq, të shtunën në fushë zbresin kryesuesit e kampionatit, Tirana. Bardheblutë pas disfatës me Kukësin dhe barazimit në Korçë me Skënderbeun do të provojnë të rikthehen te suksesi në transfertën e Rrogozhinës, kundër vendasve të Egnatias. Nga ana tjetër, Partizani luan ndaj Skënderbeut me të besuarit e Ilir Dajës që pas tre pikëve ndaj Teutës, shpresojnë të marrin fitoren e dytë radhazi për të ngjitur shkallët në klasifikim.
Ndërkaq, Kukësi luan në transfertë ndaj Kastriotit me verilindorët që vijnë në një gjendje shumë të mirë pas dy fitoreve radhazi, ndërsa nga ana tjetër krutanët kanë nevojë jetike për pikë pasi gjenden në vendin e fundit të kampionatit.
Të premten:
13:45 Laçi-Dinamo
16:45 Teuta-Vllaznia
Të shtunën:
13:45 Egnatia-Tirana
13:45 Kastrioti-Kukësi
16:45 Partizani-Skënderbeu



