Kallaku pa frena: Synoj titullin dhe kombëtaren!
Elegant, me vizion loje, i zgjuar dhe finalizues. Sherif Kallaku është një nga surprizat më të bukura të këtji edicioni të Superiores, një lojtar që e nisi thuajse si figurant për t’u shndërruar në aktorin protagonist. Vetëm 6 muaj më parë të bashkoje emrin e Kallakut me kombëtaren do të quhej utopi, sot nga një çmenduri mund të konsiderohet një ëndërr, madje madje jo edhe aq e parealizueshme për 20-vjeçarin.
“Ëndrra e çdo futbollisti është kombëtarja, por duhet shumë më shumë punë se deri më tani. Me vullnet arrihet gjithçka”.
Nuk është e jashtëzakonshme që në një periudhë stërvitjesh intensive të ndjesh ngarkesë të tepruar në muskuj dhe mesfushori nuk e mohon këtë fakt.
“Mund të them se jam i rënduar për momentin, kemi punuar intensivisht me nga dy seanca, Gjithsesi kjo do jetë një javë ku do lirohemi”.
Europë apo titull?! Tek Teuta vijojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe Kallaku pavarësisht moshës së re që në përgjithësi prodhon eufori nuk e tepron me përcaktimin e objektivit, pavarësisht se një sy qëndron tek titulli.
“Ne e kemi thënë që në fillim, se objektivi i drejtuesve është që të kapim kupat e Europës. Nëse titulli është pranë, pse mos ta tentojmë? Nuk kemi frikë nga titulli.”



