Futboll

Kamarieri që u kthye në mbretin e merkatos, si Mino Raiola ndërtoi një perandori ekonomike

Lajmi i ndarjes nga jeta të Mino Raiolës, ka tronditur botën e futbollit. Një nga agjentët më të fortë dhe të rëndësishëm të futbollit modern, ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare në shtëpinë e tij në Montekarlo si pasojë e një sëmundje të keqe. Italiani nga Salerno e mbante të fshehur sëmundjen në mushkëri, teksa shëndeti i tij nuk u përmirësua as pas ndërhyrjes kirurgjikale që kreu kohë më parë.

Mino Raiola ishte agjenti i emrave si Zlatan Ibrahimovic, Paul Pogba, Erling Haaland, Gigio Donnarumma, Matthijs De Ligt, Mario Balotelli, sa për të përmendur disa. Nga kamarier te lokali i të atit në Holandë, aty ku u transferua me familjen kur ishte vetëm 1 vjeç, në mbretin e merkatos. Raiola u bë i famshëm për aftësinë e tij gjeniale për të kryer operacione të rëndësishme merkatoje.

Mino ndërtoi një imazh origjinal, i drejtpërdrejtë, i pëlqente të ishte polemik dhe plot deklarata që krijonin zhurmë, kundërshti apo urrejtje, si në rastin e largimit të Donnarummës nga Milani te PSG. Klubet, historia apo tifozët nuk i interesonin fare, xhepi po.

Për të kishte rëndësi që lojtari i tij të ndihej i lumtur, më i miri dhe të fitonte kontrata sa më të majme, dhe ata i besonin verbërisht gjeniut të bisedimeve. Mino ia doli të krijojë një perandori faraonike për tregun e transferimeve. Vetëm në vitin 2019 arriti të fitonte 63 milionë euro nga komisionet e transferimeve!

Ishte 20 vjeç kur nisi profesionin e agjentit të futbollistëve. Raiola ishte ai që transferoi Pavel Nedved nga Lazio te Juventusi për shumën e 45 milionë eurove në vitin 2001, operacion që erdhi menjeherë pas rinovimit të çekut me bardhekaltrit, risi për ato vite.

Pastaj historia e bukur me Ibrahimovic. Gjithmonë bashkë, në rrugëtimin plot gola e fitore, marrëveshjet dhe ndryshimet e skuadrave të Zlatan, me të cilin kishte një lidhje të veçantë. Pazar fantastik për të në vitin 2009, kur Barcelona pagoi 60 milionë euro dhe kartonin e Samuel Eto’o për të siguruar Ibrën nga Interi.

Më pas kalimi i Paul Pogba te Manchester United në vitin 2016. “Djajtë e Kuq” dërguan në Torino 105 milionë eurot që donte Juventusi për të rikthyer mesfushorin francez në ishull. Një tjetër operacion i rëndësishëm ishte edhe De Ligt: nga Ajaxi te Juventusi në verën e vitit 2019, me bardhezinjtë italianë që paguan 85 milionë euro për kartonin e mbrojtësit holandez, apo kalimi falas i Donnarummës nga Milan te PSG. Këtë verë kishte plane për emra si Haaland, gati për ta kthyer në një lojtar me pagë të paimagjinueshme, shifra që s’i ka shijuar askush më parë…

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency