Kategoria Superiore

Kampion dimri, Partizani pret “dhuratën” e Babagjyshit për sulmin

Ka qenë një pjesë e parë pothuajse perfekte për Partizanin, që pa u mbyllur zyrtarisht kishte marrë dhuratën më të mirë, konfirmimin e titullit modest të kampionit të dimrit 90 minuta përpara fundit. Humbja e Skënderbeut me Luftëtarin u dha të drejtën kryeqytetasve të ngrenë “dollinë” e festave, ndërkohë që në Gjirokastër këtë fundjavë do të shkojnë të qetë dhe me objektivin për të zgjatur akoma më shumë hapin. 36 pikë në 17 javë, 11 fitore me 18 gola të shënuar dhe 8 të pësuar janë shifra që u kanë dhënë kryesimin të kuqve.

Mbrojtja më e mirë e kampionatit nuk shkon në sinkron me sulmin, që është i treti më i mirë. Nga divani, ku kanë ngritur dollinë e kampionit të dimrit, drejtuesit kanë nisur të mendojnë edhe për merkaton. Ndoshta në sulm kërkohet një emër, pasi primati i golave të realizuar nga Teuta, e ndjekur nga Skënderbeu, nuk kapërdihet në një kampionat ku gara është e hapur. Partizani ka shënuar po aq gola sa edhe Tirana, ndërkohë që nuk ka asnjë golashënues te 7 më të mirët.

Jasir Asani dhe Bruno Telushi janë liderët e skuadrës me nga 4 realizime, edhe pse nuk janë sulmues të mirëfilltë. Rubin Hebaj ka shënuar dy golat e vetëm në derbi dhe duket se është shumë larg pritshmërive, ndoshta ndikuar dhe nga zgjedhjet e trajnerit Gega për t’i besuar një sulmi të zhdërvjelltë dhe pa pikë referimi. Janë edhe 90 minuta për t’u luajtur, por drejtuesit tashmë kanë nisur seriozisht të mendojnë për përforcimet e janarit, që do t’u shtojnë cilësinë kryesuesve të kampionatit, të cilët kërkojnë të ruajnë deri në fund këto pozita për të rikthyer titullin e munguar.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency