Kampion me tri skuadra në Superiore, Gjici e ka zgjedhur trajnerin
Tre tituj kampion të fituar me tri skuadra të ndryshme: Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. I vetmi trajner që ia ka dalë të bëjë diçka të tillë në Shqipëri. Respekt kudo ka shkuar me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij dhe, mbi të gjitha, një kurbë konstante suksesi. Kush më mirë se Ilir Daja mund të përfaqësojë ambiciet e Kukësit për t’u rikthyer te titulli.
Presidenti Safet Gjici e ka marrë vendimin, është ai i përzgjedhuri, e madje mes tij dhe teknikut është arritur një akord në parim, mbetet vetëm përkufizimi i detajeve për të materializuar kontratën e re. Diçka që pritet të ndodhë sapo presidenti të kthehet nga pushimet që është duke kaluar me familjen në Turqi.
Të angazhuarit me merkaton ndërkohë vijojnë intensivisht tratativat. Pa dyshim i bujshëm zyrtarizimi i Enis Gavazajt, lojtar që i shton klasin dhe teknikën një organike të pasur, ku do të ketë të tjera goditje. Pak orë para tij u zyrtarizua huazimi i Camara, ndërkohë që sa u përket afrimeve në vijim do të jenë emra prestigji dhe që ofrojnë garanci, por më parë duhet zyrtarizuar trajneri për të qartësuar idetë mbi projektin e tij për sezonin e ardhshëm në bazë të filozofisë së tij dhe nevojave specifike që do të adresojë në drejtim të njerëzve të merkatos.
E sigurt është se projekti i Kukësit në një kohë vështirësish të mëdha për futbollin mbetet ambicioz, dhe Ilir Daja, njeriu shumë pranë zyrtraizimit si trajneri i ri, një garanci e madhe më vete.



