Serie A

Kampion pa shkëlqim, problemet e Juventusit të Sarrit i “mbuluan” rivalët

Përgatiti: Alked Gjebrea

Vitet kalojnë dhe në kampionatin italian asgjë nuk ndryshon. Juventusi ishte dhe mbetet përsëri skuadra më e mirë e Serisë A. Bardhezinjtë, pa ndonjë sforcim të jashtëzakonshëm, ia dolën përsëri për të mbrojtur me sukses titullin në Apenine. “Zonja e Vjetër” humbi gjithçka mund të humbej përpara “scudetto”-s, ndeshjen e Superkupës me Lazion apo dhe finalen e Kupës së Italisë me Napolin, por kur bëhet fjalë për kampionatin, sido që të rrjedhin ngjarjet, kuptohet qartë që klubi bardhezi vazhdon të mbetet padron i Serisë A.

Klubi i famshëm piemontez grumbulloi vetëm 5 pikë në 5 ndeshje, përpara se të fitonte takimin përcaktues me Sampdorian, e megjithatë askush nga ndjekësit nuk ishte në gjendje për të përfituar. Kurrsesi nuk mund të thuhet që ky ishte një sezon i dominuar si të tjerët, gjithsesi, pavarësisht ndryshimeve të shumta dhe situatës krejtësisht të pazakontë që u krijua për shkak të pandemisë së Koronavirusit, përsëri klubi juventin ia doli për të pasuruar koleksionin me një tjetër titull.

Edicionin e kaluar Juventusi i Allegrit e përfundoi sezonin me plot 11 pikë më tepër se Napoli, pikërisht klubi i vetëm që i bëri shoqëri në dy sezonet e fundit, ndërsa këtë radhë “scudetto” merr një vlerë akoma më të madhe, pasi u fitua me Sarrin në timon. Duke lënë mënjanë Kupën e Italisë të fituar në Kategorinë e 4-t të me Sansovinon, trofenë e parë në karrierë trajneri toskan e mori vitin e kaluar me Chelsea-n, kur mundi në derbi në finalen e Europa League-s rivalët e Arsenalit, sidoqoftë ky është një tjetër tregues i qartë i forcës së jashtëzakonshme të bardhezinjve.

Juventusi sapo u konfirmua si kampion për herë të 9-të rresht në Itali, 3 herë me Antonio Conte-n dhe 5 herë me Massimiliano Allegri-n, e tani rekordmenët e futbollit në Apenine bënë të mundur që Maurizio Sarri të vendosë duart te trofeu më i dashur i çdo trajneri italian, megjithatë mund të thuhet me plot gojën që Juvja e edicionit të 118-të të kampionatit italian nuk mund të krahasohet kurrë me asnjë nga skuadrat e mëparshme që kanë triumfuar për bardhezinjtë, nga viti 2012 e këtej, si për nga stili i lojës, bukuria, karakteri, aspekti fizik, forca në mbrojtje, cinizmi apo aftësia për të dërrmuar çdo kundërshtar.

Trofeu i sivjetshëm konfirmon dominimin e këtij klubi në futbollin italian, sepse në mënyrë të qartë ekipi u pa shpeshherë në vështirësi, pa ide dhe në dilema të mëdha për shkak të skemave sa të ndërlikuara po aq edhe të vështira dhe të pakuptueshme nga lojtarët aktualë për t’u interpretuar në fushën e lojës. E pra, pavarësisht gjithë këtyre problemeve përsëri “Zonja e Vjetër” ia doli të mbronte sërish me sukses titullin. Një veçori që natyrisht e dallon klubin bardhezi nga gjithë kundërshtarët është mënyra e administrimit të suksesit. Ndryshojnë lojtarët, ndërrohen brezat dhe zëvendësohen trajnerët, por Juventusi është përherë aty dhe drejtuesit kanë gjithmonë po të njëjtin oreks.

Duhet shumë për të motivuar një skuadër të tillë, që çdo herë e nis garën me presionin për të fituar gjithmonë, gjithsesi në gjirin e ekipit ka kolosë si Giorgio Chiellini, kapiteni i skuadrës që, pavarësisht moshës, vazhdon të jetë pjesë e pandarë e sukseseve të njëpasnjëshme të klubit. Mbrojtësi toskan, pothuajse 36-vjeçar qëndroi fillimisht jashtë për afrësisht 6 muaj, pas një dëmtimi në gju, ndërsa në mesin e muajit qershor “Chiello” humbi edhe tri javë të tjera për shkak të një tjetër dëmtimi, ndërsa në mesin e muajit korrik mbrojtësi veteran hoqi dorë edhe nga pjesa e mbetur për shkak të problemeve muskulore.

Kolegu i tij në repartin e prapavijës Leonardo Bonucci, pas suksesit me Sampdorian deklaroi se e konsideron këtë titull si më të bukurin, sepse sipas tij është edhe më i vështiri që ka arritur të fitojë. Leo theksoi se skuadra ka nisur një epokë të re me një filozofi të ndryshme dhe 33-vjeçari shpjegoi se për lojtarët nuk ka qenë aspak e lehtë për të kuptuar idetë e trajnerit. Bonucci kaloi një sezon në radhët e kuqezinjve të Milanit, ndërsa portieri legjendar, 42-vjeçari toskan Gianluigi Buffon provoi për të fituar Champions-in në Francë, me një klub si Paris SG, kështu që kjo dyshe ka një trofe më pak përsa i përket titujve në Serinë A, krahasuar me plot 9 kampionate që numëron gjithsej në karrierë kapiteni Giorgio Chiellini me fanellën e bardhezinjve. Pa heronj të tillë kjo skuadër sigurisht nuk do të kishte arritur gjithçka cfarë ka fituar në pothuajse një dekadë.

Prania e “yllit” portugez, Cristiano Ronaldo, në njëfarë mënyre shërben për të përmirësuar imazhin e skuadrës, por gjithsesi ndonëse askush nuk e përmend, ky mund të konsiderohet si Juventusi më i dobët i këtyre 9 viteve të fundit. De Ligt nuk është përshtatur akoma me kampionatin italian, Rabiot vetëm tani vonë ka filluar të shfaqë vlerat e tij të vërteta, ndërsa mesfushori Aaron Ramsey është persekutuar nga dëmtimet e shumta. Juventusi i sivjetshëm përfaqëson sulmin më të dobët, sa i përket katërshes më të mirë të Serisë A dhe kampionët në fuqi në këtë lloj klasifikimi të veçantë renditen, pas Atalantës, Interit dhe Lazios. 75 gola të realizuar gjithsej, prej të cilëve 31 i përkasin fituesit të 5 “Topave të Artë”, madje 12 prej tyre Zotëria CR7 i ka shënuar pikërisht nga pika e bardhë e 11-metrave. Shumë probleme të skuadrës janë mbyllur apo maskuar falë formës së shkëlqyer dhe ecurisë shumë të mirë që ka patur ekipi i Sarrit në “Allianz Stadium”, duke marrë në konsideratë faktin që “Zonja e Vjetër” mbetet ekipi i vetëm pa humbje në shtëpi, ku bardhezinjtë ia kanë dalë për të barazuar vetëm me Sasuolon dhe Atalantën.

Ky Juventus nuk përfaqëson as forcën e parë në kampionat sa i përket repartit të mbrojtjes. Këtë status tashmë e ka Interi i Antonio Contes, por shumë pranë qëndron edhe vetë Lazio e Simone Inzaghit, ndërsa jashtë fushe bardhezinjtë përsëri e shikojnë veten jashtë podiumit të Serisë A, duke patur parasysh që më mirë se kampionët në fuqi në këtë edicion kanë bërë Interi, Atalanta dhe Lazio.

Ky edicion gjithsesi ka qenë më i rivalizuar dhe “zebrat” disa herë u vunë në vështirësi nga zikaltërit e Interit, apo edhe ecuria fantastike e Lazios, që me 11 fitore radhazi theu rekordin e klubit bardheklatër, për të rreshtuar plot 21 ndeshje pa humbje në kampionat, pa lënë mënjanë fluturimin dhe ngjitjen graduale të Atalantës. Me të drejtë thuhet që fituesi nuk gjykohet, por natyrisht nëse ky Juventus është në gjendje të triumfojë sërish në rivalitetin për “scudetto”-n, pavarësisht problemeve të shumta, atëherë duhet shtuar se ndjekësit më të afërt sigurisht duhet të kërkojnë dobësitë te vetja ose të paktën nevojitet që të përmirësohen akoma më shumë për të qenë në gjendje për të rrëzuar Juven nga froni, pasi është fakt që përpjekjet e sivjetshme nuk mjaftuan.

Tani është momenti për të shijuar titullin dhe për të festuar, por pa e tepruar. Është koha për të ruajtur energjitë dhe për të mbledhur forcat për datën 7 gusht, për të përmbysur me cdo kusht disavantazhin 1-0 ndaj Lionit, për të sulmuar më pas edhe “kupën me veshë të mëdhenj”, trofeun aq fort të ëndërruar nga bardhezinjtë, që për hir të së vërtetës klubit të famshëm piemontez i mungon prej afërsisht çerek shekulli.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency