Kampionati anglez “ndizet” me Chelsea-Man. City, londinezët me një tifozëri speciale
Kampionati anglez vjen me një supersfidë mbrëmjen e sotme ku Chelsea i Franckie Lampard do të presë në “Stamford Bridge” kampionët në fuqi të Manchester City-t, me këta të fundit që mund të dorëzojnë zyrtarisht kurorën mbrëmjen e sotme.
Të dy skuadrat janë në një formë mjaft të mirë në këtë periudhë të rikthimit pas pandemisë dhe sfida pritet të jetë vërtetë spektakolare, pasi të besuarit e Pep Guardiolës do të provojnë t’ia shtyjnë sërish festën e titullit Liverpoolit të Jurgen Klopp.
Nga ana tjetër objektivi i “bluve” të Londrës është një vend në zonën Champions, ku gara është bërë mjaft e ashpër, pasi edhe Manchester United e Tottenham po vijojnë të ngjiten në renditje, ndaj fitorja do të ishte mënyra më e mirë për të konsoliduar pozitat.
Skuadra e Chelseat do të ketë mbrëmjen e sotme edhe një “tifozëri” speciale. Bëhet fjalë për skuadrën e Liverpoolit dhe të gjithë fansat e “The reds” anembanë botës, të cilët do të shpresojnë për një fitore të londinezëve, për të nisur festën që sonte nga shtëpia.
Aktualisht Liverpooli kryeson me 86 pikë, 23 më tepër se Manchester City, që ka edhe 8 ndeshje për të luajtur, ndaj nëse “citizens” nuk fitojnë sonte në “Stamford Bridge”, titulli shkon edhe matematikisht për ‘The reds”-at e Jurgen Klopp.
Po sot, por në orën 19:00 do të luhet edhe sfida tjetër e kampionatit anglez, ajo mes Southamptonit dhe Arsenalit, me londinezët që do të luajnë transfertën e tretë radhazi dhe do të provojnë rikthimin te fitorja, pas dy humbjeve të para.
“Topçinjtë” u mposhtën fillimisht nga Manchester City e më pas nga Brighton, duke dalë tërësisht jashtë gare për një vend në Europa League, megjithatë gjysma e dytë e tabelës së renditjes nuk është aspak e përshtatshme për ta, ndaj do të kërkojnë reagimin që në sfidën e mbrëmjes së sotme.



