Kampionati i Maqedonisë së Veriut/ Fiton Shkupi, barazon Struga, Renova bën “hap fals”
Është mbyllur raundi i 20-të i elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ekipet shqiptare ia kanë dalë të marrin rezultate pozitive në këtë javë.
Shkupi ka fituar në transfertë ndaj ekipit të Rabotnicki me rezultatin 0-1, me golin që erdhi vetëm pas 67 minutave lojë dhe u realizua nga Radeski.
Skuadra shqiptare ka dominuar pjesën kryesore të ndeshjes, ndërsa në fund ia ka dalë të marrë tre pikë të vlefshme. Pas kësaj ndeshje vendasit qëndrojnë në vend të tetë me 25 pikë, teksa Shkupi vijon kryesimin me 48 pikë të grumbulluara.
Renova nga ana e saj është mundur në shtëpi nga ekipi i Makedonija GP me rezultatin 0-1. Goli I kësaj sfide ka ardhur që në minutën e 2’ dhe është realizuar nga Vosha. Më pas ndeshja ka qenë shumë e luftuar nga të dyja anët, por nuk është realizuar asnjë gol tjetër.
Pas këtij takimi Renova qëndron në vend të pestë të tabelës me 30 pikë, teksa Makedonija GP renditet e katërta me 33 pikë.
Struga e ka mbyllur me barazimin 1-1 ndeshjen e javës së 20-të të elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut, kundër Bregalnica Stip. Pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur pa gola, teksa rezultati u zhbllokua në minutën e 59’ nga Stojanov që realizoi për miqtë. Golin e Strugës e shënoi Bosancic në minutën e 84’.
Pas këtij takimi vendasit qëndrojnë në vend të shtatë me 27 pikë, teksa Bregalnica Stip renditet e gjashta me 30 pikë.



