Kampionati Kombëtar 5×5/ Diamant MFC shpallet kampione e zonës së Durrësit dhe shkon në play-off
Kampionati Kombëtar i futbollit 5×5 ka mbërritur në fazën kulminante, duke parë që në shumë zona ka përfunduar kampionati dhe janë shpallur fituesit. Pas zonës së Korҫës, ku MFC Kalaja u shpall kampione dhe siguroi vendin në play-off për kampion kombëtar, Durrësi ka mbyllur kampionatin dhe fitues është shpallur Diamant MFC pas 20 javësh të luajtura, duke grumbulluar 56 pikë me 18 fitore dhe 2 barazime, në një garë ku ndeshjet janë luajtur me sistemin vajtje-ardhje.
Në ceremoninë e rastit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, djemtë e skuadrës Diamant MFC kanë marrë edhe trofeun e kampionit të kësaj zone rajonale. Kjo skuadër do të përfitojë 75 mijë lekë premio dhe 5 topa futbolli nga FSHF. Gjithashtu durrsakët do të marrin pjesë në fazën play-off ku do të përballen të gjitha skuadrat kampione të zonave rajonale për të shpallur kampionen e parë të Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar të futbollit 5×5.
Guido Tepshi: “Ne si ish-futbollistë ndihemi mirë dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohen këto lloj aktivitetesh që ne të marrim pjesë dhe të jemi në aktivitet fizik. Janë shumë të bukura edhe për të rinjtë në qytet, në mënyrë që të merren me diçka. Sa i përket organizimit, ka qenë mjaft i mirë, me rregulla mjaft serioze. Kjo ka rëndësi edhe për edukimin e çdo lloj individi që merr pjesë në kampionate të tilla, në mënyrë që të kuptojë që sporti është edhe një disiplinë përpos argëtimit. Kush e ka pasion futbollin është mirë që t’i jepen mundësi të tilla.”
Bledar Hodo: “Është një emocion i veçantë, për brezat e rinj gjithashtu edhe për brezat që janë në një moshë pak më të madhe. Organizimi i tyre për aktivitet fizik dhe të argëtohen, ky është pikësynimi kryesor i këtij lloj aktiviteti. Ne më tepër e kemi një formë argëtimi, çdo fundjavë mblidhemi një grup shokësh, organizojmë një lojë futbolli. Më tepër është argëtim sesa garë apo te fitimi i trofeut.”









