Zonës së Korçës, që e ka përfunduar tashmë kampionatin, me ekipin e MFC Kalaja që është shpallur kampione dhe ka kaluar në fazën play-off për kampion kombëtar dhe zonës së Durrësit, ku kampion është shpallur skuadra e Diamant MFC, i shtohet edhe grupi i Cërrikut, pjesë e Zonës së Elbasanit. Gostima 5×5  është shpallur fitues i këtij kampionati për këtë edicion të parë në zonën e Cërrikut, me 44 pikë të mbledhura në 18 ndeshje të luajtura.

Federata e Futbollit organizoi një ceremoni, ku djemtë e Gostima 5×5 ngritën trofeun, si kampionë të këtij grupe. Duke qenë fitues të grupit, ekipi i Gostimës,  do të ketë mundësinë të përfaqësojë Cërrikun edhe në fazën play-off, ku skuadrat fituese të të gjithë zonave ku është zhvilluar ky kampionat, do të përballen me njëra-tjetrën dhe ku do të shpallet fituesi i Shqipërisë për këtë edicion të parë të kampionatit 5×5.

Në fund të ceremonisë, Pëllumb Sina, një nga lojtarët e ekipit fitues dha një prononcim për fshf.org ku falënderoi FSHF-në për organizimin e këtij kampionati, për të cilin theksoi se shpreson që të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. “Ndihemi shumë të lumtur për këtë kampionat të zhvilluar nga FSHF-ja. I falënderojmë të gjithë zyrtarët që bënë të mundur organizimin e këtij kampionati. Organizimi ishte shumë i bukur dhe do shpresonim që edhe vitet e ardhshme të kishte një kampionat të tillë dhe të kishte sa më shumë prurje të reja dhe të jetë një futboll sa më i mirë dhe sa më cilësor. I falënderojmë të gjithë që ishin pjesëmarrës, falënderoj dhe ekipin, pasi djemtë u munduan shumë”­- tha Sina për fshf.org