Kampionë nga divani, Ballkani hap shampanjën e titullit të parë në histori
Ballkani fiton titullin kampion në Kosovë. Skuadra nga Suhareka hap shampanjën e festës katër javë para fundit të sezonit dhe e bën këtë nga divani i shtëpisë, duke ndjekur derbin e Anamoravës mes Dritës dhe Gjilanit.
Pikërisht barazimi pa gola mes dy skuadrave gjilanase, shpalli zyrtarisht kampione skuadrën e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, që këtë sezon ka treguar forcën ndaj thuajse të gjithë rivalëve dhe tani feston një sukses tërësisht të merituar.
Ky është titull i parë në histori për Ballkanin, që u ngjit në elitën e futbollit të Kosovës vetëm në verën e 2018-ës dhe ia doli të vendosë diktatin në sezonin e katërt. Vlen të theksohet se edhe në dy sezonet paraardhëse Ballkani ka luftuar për titull, teksa në të dy rastet e ka mbyllur në vendin e tretë.
Skuadra nga Suhareka e nisi sezonin nën drejtimin e trajnerit Bekim Isufi, i cili u shkarkua në mes të sezonit dhe në vendin e tij erdhi Ilir Daja, një mjeshtër titujsh në Shqipëri, që konfirmohet i tillë që në muajt e parë edhe në Kosovë.




