Kamza dhe precedenti Tirana, edhe 90 minuta shpresë
Mes gëzimesh e hidhërimesh, shpresash e akuzash, shkohet drejt epilogut. Drithërima për Kamzën, që shikon veten të rrezikuar falë një kombinacioni llogarish e interesash. I duhet të fitojë në javën e fundit për të evituar përsëritjen e një fati si ai i Tiranës një vit më parë, që detyrohej të linte “Loro Boriçin” mes lotësh.
Kamza nuk ka rënë dhe ka të gjitha mundësitë për të mbijetuar, por ajo që vlen të evidentohet në këtë fund kampionati është ngjashmëria e çuditshme mes sezonit bardheblu, një vit më parë, me atë të komshinjve më të vegjël, në edicionin aktual. Në mesin e kampionatit të edicionit të kaluar, në janarin e 2017-ës, te Tirana as që e imagjinonin se mund të binin nga kategoria. Ndoshta fjetën mendjen për titullin dhe Europën, por pikërisht aty e pësuan, bënë plot 16 ndeshje pa fitore dhe siguruan trepikëshin e parë të vitit kalendarit vetëm në 10 maj, ecuri që çoi pa dyshim Tiranën drejt rrënimit.
Këtë fillim viti, Kamza shikonte, pse jo, drejt Europës, ndërsa mbijetesa vështirë se mund të mendohej. Është sërish kjo fjetje e mendjes që penalizoi skuadrën nga rrethinat e kryeqytetit. Një fazë e tërë pa fitore, nga Lushnja te Lushnja, që nga fundi i shkurtit e deri në fund të prillit. Një hark kohor prej dy muajsh pa fitore, ku peshon si gur në situatën e sotme ajo disfatë 1-2 e pësuar në shtëpi nga Teuta, kur Kamza flinte mbi dafina.
Nga Tirana te Kamza, historia vërteton se me këtë skemë ky është një kampionat ku asnjëherë nuk mund ta flesh mendjen, pasi papritur zgjohesh me makthin e mbijetesës. Kamza ka ende kohë për të evituar fatin e Tiranës në 90 minuta përballë Partizanit.



