Kamza–Flamurtari me aromë Europe, mbrojtjet arma më e fortë
Nëse shumëkush kishte menduar që Flamurtari do të ishte një skuadër konkuruese për zonën Europiane, të paktë ishin ata që mendonin se në ndeshjen e fundit të vitit 2017, Kamza do të ishte një rivale për vendin e dytë. 90 minutëshi i fundit për këtë vit kalendarik ndërmjet tyre është i veçantë pasi vjen me aromën e Europës, me dy skuadrat që kërkojnë të konsolidojnë pozitat në mënyrë që të mendojnë me qetësi për përforcimet e merkatos së dimrit.Ecuria e të dyja ekipeve nuk është një rastësi për vetë faktin se në krye kanë dy trajnerë ekspertë të kampionatit, njohës të mirë të ambientit por edhe krijues të shkëlqyer të një grupi të aftë për të përballuar sezonin. Deri diku Kamza dhe Flamurtari mund të konsiderohen si binjakë, pasi kanë një ecuri të njëjtë, dy ekipe cinike që bazohen tek mbrojtja e hekurt. Flamurtari së bashku me Skënderbeun kanë mbrotjen më të fortë të kampionatit, 10 gola të pësuar, ndërkohë që Kamza në këtë aspekt është shumë pranë, me Laçin që ka pësuar 12 gola në këto 15 javë. Për blutë e periferisë së kryeqytetit nëse nuk do të ishin ato 3 gola të pësuar në Loro Boriçi, sot do të renditeshin me krenari si mbrojtja më e mirë e kampionatit një pozicion që e kanë mbajtur edhe më parë. Gjithashtu në sulm janë identike, pasi kanë shënuar nga 15 gola duke ndarë vendin e 6 dhe të 7 në këtë klasifikim virtual. Këto shifra flasin për dy skuadra tepër të kujdeshshme por që ndoshta në sfidën e fundit të 2017 duhet të flakin tutje cinizmin e tyre dhe të tregojnë forcën reale, si dhe për të demostruar se kush do të jetë pretendenti serioz për zonën Europiane.



