Kategoria Superiore

Kamza ‘fundos’ Partizanin, Lika merr fitoren e parë, Teuta barazon me Laçin

Është Kamza supriza më e bukur e këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Falë një goli të Ymerit 6 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, Kamza shokoi Partizanin duke fituar 1-0 përballë të Kuqëve në derbin e vogël të kryeqytetit.

Mbushtet kupa për Partizanin dhe trajnerin italian Mark Iuliano i cili pas kësaj disfate, e 4-ta për të Kuqtë në 9 javë kampionat rrezikon seriozisht shkarkimin. Goli i Ymerit në minutën e 84-tën i dha fitoren e 2-të radhazi Kamzës që shfrytëzoi kundërsulmin vrasës në minutat e fundit për të lënë pa gjë Partizanin, që në këtë sfidë luajti më mirë madje goditi edhe shtyllën me Bathën në fillimin e pjesës së dytë.

Me këtë humbje e dyta radhazi Partizani e sheh veten 4 pikë pas Kamzës dhe gjithnjë e më larg kreut të renditjes. Fitimi i titullit kampion tashmë mund të konsiderohet një mision i pamundur për të Kuqtë e kryeqytetit.

U rikthye te fitorja pas 6 javëve Luftëtari që mposhti 2-0 Lushnjën në Gjirokastër duke regjistruar fitoren e dytë në këtë sezon dhe të parën me trajnerin Hasan Lika në stol. E nisi me humbje aventurën e tij te Lushnja, tekniku i ri Hysen Dedja.

Sfida e Gjirokastrës mori drejtimin që minutat e para pasi në të 3-tën Eduart Rroca kaloi në avantazh bluzinjtë ndërsa në të 70-tën vetëm 4 minuta pasi kishte hyrë në fushë mbrojtësi Donald Rapo shënoi edhe golin e dytë për vendasit duke vulosur fitoren e gjirokastritëve që me këtë sukses iu larguan disi fundit të renditjes duke u ngjitur në kuotën e 8 pikëve.

Pavarësisht pezullimeve dhe ndëshkimeve, sërish Teuta nuk arrit te fitorja, teksa u ndal në barazim 1-1 me Laçin. Skuadra e Maganit edhe këtë herë kaloi e para në avantazh, me anë të mbrojtësit Dediç, por laçjanët barazuan vetëm 4 minuta më pas me anë të Nikës.

Teuta kërkoi me ngulm fitoren, por nuk arriti të dërgojë sërish topin në rrjetë, ndërsa Laçi i Mezanit u mbrojt mirë dhe tentoi disa herë me anë të kundërsulmeve. Në fund përfundoi 1-1, një rezultat qe i shkon më shumë përshtat lojës së zhvilluar në fushë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency