Kategoria Superiore

Kamza-Partizani, mbijetesa dhe Europa kalojnë nga periferia e kryeqytetit, Luftëtari vetëm për fitore

Partizani ka një synim të qartë që është Europa League. Pjesmarrja në para-eliminatoret e këtij kompeticioni nuk është vetëm cështje prestigji, por edhe financiare. Demat vijnë nga një seri rezutlatesh pozitive ku nën drejtimin e Dalipit kanë fituar 2 dhe kanë barazuar 1 takim në 3 sfidat e fundit.

Të kuqtë do të udhëtojnë pak kilometra për në periferi të Tiranës ku do të përballen në një mini derbi me Kamzën. Tekniku elbasanas për herë të parë e ka të plotë grupin e lojtarëve dhe tashmë duhet të zgjedhë formacionin e tij më të mirë. Dilema kryesore ka të bëjë me sulmin, alternativa e parë është e njëjta 11-she e javëve të shkuara pra me Asanin e Bardhin nga krahët e repartit të avancuar dhe me Prognin në qëndër, ndërsza hipoteza e dytë parashikon Edgar Çanin titullar në rolin e qëndërsulmuesit.

Në anën tjetër Kamza vjen e përfshirë nga një periudhë krize. Vetëm 2 pikë në 5 sfidat e fundit e kanë larguar përfundimisht ekipin e Ndreut nga ëndrra Europë, madje kanë rishfaqur makthet e rënies nga kategoria. Erlis Frashëri është mungesa kryesore, mbrojtësi korçar është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në takimin e fundit ndaj Laçit.

Deri më tani në dy ndeshje të zhvilluara në këtë edicion Kamza dhe Partizani kanë ndarë nga një fitore. Në sfidën e parë suksesi i skuadrës së Ndreut i kushtoi stolin Iulianos, ndërsa në takimin e fazës së dytë demat u imponuan në “Selman Stërmasi” duke fituar me rezultatin 2-1. Kjo përballje do të zhvillohet të dielën në orën 14 dhe do trasnmetohet live në Supersport 3.

Dënimi i Skënderbeut ka ridimensionuar plotësisht objektivat e Luftëtarit në këtë sezon, me skuadrën gjirokastrite që tani e shikon si një objektiv plotësisht të realizueshëm një vend në kompeticionet europiane. Këtë javë ndaj Lushnjës duke marrë parasysh dhe transfertën e vështirë të Partizanit, për bluzinjtë mund të jetë momenti i duhur për të kërcyer në vendin e 4-të në tabelën e klasifikimit. Sfida ndaj lagunarëve nuk duhet të paraqesë probleme për formacionin e Hasan Likës që madje kërkon të luajë një ndeshje në sulm ndaj lagunarëve me 3 sulmues përpara si zakonisht, ku Bregu dhe Abazaj do të qëndrojnë në krah të Eri Lamçes, ndërsa Shkurtaj mund ta nisë ndeshjen nga stoli me trajnerin që kërkon ta ketë sa më mirë fizikisht për sfidat e radhës. Në sfidën e fazës së dytë Lushnja i hapi probleme Luftëtarit teksa e ndali në një barazim pa gola dhe trajneri i ri Gjyla kërkon të bëjë të njëjtën gjë dhe në transfertën gjirokastrite. Gjithsesi për lagunarët të zhveshur dhe nga objektivat do të jetë tejet e vështirë, aq më tepër që Luftëtari tanimë sheh të hapen përpara tij horizonte të reja mundësish, të cilat trajneri Hasan Lika nuk kërkon t’i shpërdorojë duke synuar një fundkampionati me marsh të pestë për të tijtë drejt një objektivi Europë, që në Gjirokastër do të ishte si një ëndërr që bëhet realitet.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency