Kategoria Superiore

Kamza vijon përgatitjet, Ndreu pret kompletimin e ekipit

Me një grup të reduktuar për shkak të largimeve dhe lojtarëve që ende nuk janë bashkuar me skuadrën si Racic e Fukui, trajneri i Kamzës Ramazan Ndreu ka nisur punën për fazën përgatitore të dimrit që do të vazhdojë në Antalya të Turqisë gjatë ditëve të ardhshme. Numri 1 i stolit të skuadrës kryeqytetase konfirmon largimin e dy lojtarëve, por shton se këto ditë do të jenë intensive për të kompletuar sa më shpejt organikën.

“Për sa i përket mungesës së Nezirit dhe Mustafës, thjesht është një prishje e kontratës me marrëveshje, pasi edhe klubi ndoshta ka ato pakënaqësitë e veta, gjithsesi, u zgjidh çdo gjë me mirëkuptim. Pavarësisht lëvizjeve jo shumë të mëdha, unë kam në plan që për 2-3 ditë të mbyll të gjitha ato që kam në mendje”, u shpreh Ndreu.

Mbrojtësi kroat Ivan Fustar është larguar përfundimisht nga skuadra debutuese e Superiores dhe Ndreu sqaron arsyet duke premtuar zëvendësimin e tij me një tjetër lojtar cilësor.

“E kishim të pamundur që të insistonim ta mbanim, pasi një sportisti kur i humb dëshira, është e vështirë ta mbash, sepse nuk jep maksimumin. Pikërisht për këtë arsye e lamë të lirë dhe i kemi financat që të kërkojmë një qendërmbrojtës tjetër, që të jetë ndoshta edhe më i mirë se Fustar”, tha Ndreu.

Në vijim, Ndreu i bën një analizë pjesës së parë të sezonit duke e konsideruar pozitive në total, pavarësisht 3 humbjeve rresht.

“Unë mendoj që kur mbarojnë 2 fazat, analiza duhet zhvilluar për to në total, sepse mund ta nisësh keq dhe e mbyll shumë mirë, ndërsa ne e nisëm mirë, pavarësisht atyre luhatjeve në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, unë si trajner ‘ e di se ku më pikon çatia’ dhe do të sistemojmë çdo gjë”, tha trajneri i Kamzës.

Me 23 pikë në 16 javë, Kamza mban një pozicion komod në klasifikim por trajneri i skuadrës nga periferia e kryeqytetit e pranon se rruga do të bëhet më e vështirë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency