Harry Kane nuk ndalet, “djeg” Arsenalin në derbi
Tottenham arriti të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, në derbin e Londrës me Arsenalin, ndeshje direkte për garën për një vend në zonën Champions. Në sytë e 85 mijë tifozëve, takimi u vendos nga një gol i të zakonshmit Harry Kane, që kërceu fuqishëm dhe mposhti portierin Cech në minutën e 49’.
Skuadra e Pocchetinos dominoi takimin, duke krijuar një mori rastesh për gol, veçanërisht në pjesën e dytë, por nuk arriti të dërgojë më shumë se një herë topin në rrjetën e portës së Arsenalit.
Nga ana tjetër, Arsenali u kujdes më shumë për mbrojtjen, ndërsa Mkhitaryan dhe Aubameyang nuk arritën të nxjerrin skuadrën në sulm. Pas këtij takimi, Arsenali mbetet në vendin e 6 me 45 pikë, duke komplikuar ndjeshëm objektivin e këtij sezoni, arritjen e një vendi që të dërgon në Champions.
Në takimet e tjera u arritën këto rezultate:
Everton – Crystal Palace 3-1
Stoke City – Brighton 1-1
Swansea – Burnley 1-0
West Ham – Watford 2-0



