Karabeci rikthehet me fitore dhe kërkon vazhdimësinë
Pas disa ditësh mes tensionit, kapiteni Erando Karabeci sqaroi problemet e tij me trajnerin Ze Maria dhe zbriti menjëherë në fushë në transfertën ndaj Kastriotit, ndërsa po sot, edhe bardheblutë arritën të rikthehen te fitorja.
Vetë mesfushori i Tiranës nuk e fsheh kënaqësinë e rikthimit në fushë dhe mbi të gjitha të marrjes së 3 pikëve, ndërsa shpjegon edhe konfliktin me trajnerin e bardhebluve.
I kënaqur që Tirana kthehet te fitorja dhe ju në fushën e lojës?
Fitorja na gëzon, duke pasur parasysh se vinim nga disa ditë të vështira. Nuk është e thjeshtë të humbasësh derbin. Është një ndeshje që kur nuk del me sukses, nuk kalohet kollaj. Kemi ndenjur me njeri-tjetrin, kemi ngrënë dhe një drekë bashkë. Duhet të vazhdojmë të punojmë sepse jemi larg pritshmërive që kemi si grup. Primare është fitorja e ekipit, por nuk diskutohet që edhe unë gëzohem kur jap kontributin tim.
Për lënien tuaj jashtë, Devi Muka tha: “Nëse do isha unë, do isha larguar”. Ju si e përjetuat?
Është krijuar një situatë që është fryrë shumë nga mediat. Nuk jam ndier shumë mirë, sepse kjo ka prishur pak ambientin në ekip dhe ndihem pak përgjegjës që për këtë gjë është bërë shkak emri im. Ju më njihni mirë, sepse unë kam 10 vjet që luaj me Tiranën dhe jam stërvitur me 20 trajnerë, dhe nuk kam pasur probleme. Kam punuar në maksimum, jam sqaruar me trajnerin dhe shpresoj të vazhdojmë përpara që të kemi suksese. Për Mukën kam respekt, jam munduar të mësoj prej tij për sjelljen brenda fushës, sepse jashtë fushës ai nuk i përballon qetë situatat. Ai ka thënë një vlerësim për mua, por është një thënie që nuk ndodh, sepse ne jemi profesionistë dhe gjërat zgjidhen me ballafaqime.
Nuk jeni ndjerë i lënduar?
I mërzitur, normalisht çdo lojtar kur nuk luan, mërzitet, sepse do që të japë kontributin e vet në fushë. Kur mendon se je në maksimumin tënd dhe mendon se mund ta ndihmosh ekipin, kërkon që të luash.
A mjaftojnë këto 4 ditë, ajo drekë dhe ky përqafim, që të kalojnë këto probleme?
Është e vërtetë që ne sot nuk kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Normalisht kur vjen nga disa ditë jo të qeta dhe nga rezultate jo të mira, e rëndësishme është që të marrësh pikët. Nuk je i lirshëm dhe ne e dinim që sot do e kishim të vështirë. Edhe fusha nuk ishte në kushtet e duhura për një ndeshjet të Superligës. Donim vetëm pikët, dhe kur të marrim pikët jemi të sigurt që do dalim më mirë në lojën tonë, sepse kemi cilësi brenda grupit.



