KAS i ul çerekun e dënimit, por rekordmeni i 60 metrave humb Olimpiadën
Ulet dënimi i rekordmenit të botës, për sa i përket garës së 60 metrave në salla të mbylura, Christian Coleman. Pas apelimit të çështjes, njeriut të gjashtë më të shpejtë të të gjitha kohërave dhe kampionit në fuqi të botës në garën e 100 metrave do t’i ulet çereku i dënimit, por gjithsesi një reduktim i tillë nuk do ta ndihmojë sprinterin e mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në lojërat e ardhshme olimpike.
Fillimisht, atleti nga Georgia u skualifikua për një periudhë 2-vjeçare, pasi humbi tri teste rutinë antidopingu, por tani dënimi i 25-vjecarit nga Atlanta do të ulet me 6 muaj. Një vendim i tillë u mor nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv dhe pas shqyrtimit të cështjes sprinterit amerikan iu ul pikërisht ¼ e dënimit. Në këtë mënyrë skualifikimi I tij nga garat e atletikës do të zgjasë deri më datën 14 nëntor, prandaj është më se e qartë që rekordmeni i botës në garën më të shkurtër të “mbretëreshës së sporteve” do të privohet nga pjesëmarrja në Olimpiadën e Tokios, me Lojërat Olimpike që do të zhvillohen këtë verë, në kryeqytetin japonez nga 23 korriku deri më datën 8 gusht.
Kështu Christian Coleman do të ketë mundësi për të nisur mbrojtjen e titujve në garat që organizohen në ambiente të hapura si dhe dhe në aktivitetet “indoor” duke filluar që nga viti i ardhshëm.
Për hir të së vërtetës Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e mbështeti vendimin e marrë nga Këshilli i Integritetit të Atletikës, por gjithsesi “CAS” arriti në përfundimin që niveli i neglizhencës së atletit të famshëm nga Shtetet e Bashkuara është më i ulët, nga cfarë u evidentua në raportin fillestar. Në vitin 2017 në botërorin e Londrës Christian Coleman u rendit dy herë i dyti, si në 100 metra ashtu edhe në garën e stafetës 4 X 100, ndërsa në botërorin e 17 të atletikës, që u mbajt në vitin 2019 në kryeqytetin e Katarit, Doha, në “Khalifa International Stadium”, sprinteri nga Georgia mori dy medalje të arta, falë sukseseve pikërisht në garat e 100 metrave dhe stafetës 4 X 100.
Edhe në botërorin e fundit përsa i përket aktiviteteve indoor, pra në kampionatin e 17 të atletikës në salla të mbyllura, që u mbajt në vitin 2018 në Mbretërinë e Bashkuar në Birmingham, Coleman mori medaljen e artë në garën e 60 metrave. 25-vjeçari nga Shtetet e Bashkuara u pezullua fillimisht në qershorin e vitit 2020, pasi humbi përfundimisht edhe testin e tretë, që ishte programuar për në dhjetorin e vitit 2019.
Rekordmeni i botës në garën më të shkurtër të këtij sporti nuk e kundërshtoi aspak testin e parë, të cilin e humbi në 16 janarin e vitit 2019, por atleti amerikan u mundua të mbrohej duke nxjerrë justifikime të ndryshme, për dy testet e humbura respektivisht në datat 26 prill dhe 9 dhjetor, të po atij viti. Hetimi I Këshillit të Integritetit të Atletikës arriti në përfundimin që nuk ka të dhëna dhe nuk mund të vërtetohet dot që sprinteri i mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara ka përdorur substanca të ndaluara gjatë kësaj periudhe, sidoqoftë tetorin e kaluar AIU e konsideroi si të pakujdesshme dhe krejtësisht të pajustifikueshme sjelljen dhe reagimin e 25-vjeçarit nga Atlanta.
Rregullorja është e qartë dhe Këshilli i Integritetit të Atletikës ka kufizuar në tre numrin e testeve që mund të humbasë një atlet në harkun e një viti. Shkelje konsiderohet rasti kur një atlet humbet disa herë mundësinë për t’u testuar dhe nuk është i disponueshëm brenda një ore, si afat kohor, pikërisht në vendin e deklaruar. Pra çdo atlet i lajmëruar duhet të presë patjetër për 60’, deri në mbërritjen e njerëzve të posaçëm që merren me analizat e detajuara, përpara se të largohet nga vendi i deklaruar.
Në tentativën e tretë, pra më datën 9 dhjetor të vitit 2019 Christian Coleman deklaroi se ndodhej vetëm 5’ larg shtëpisë së tij, duke bërë disa blerje për Festën e Krishtlindjes dhe sprinteri nga Shtetet e Bashkuara u justifikua asokohe se njerëzit e ngarkuar me kryerjen e testit të antidopingut nuk e kontaktuan më. CAS shpjegoi se Coleman duhej të ishte treguar më i kujdesshëm dhe shumë më i përgjegjshëm, duke qenë i vetëdijshëm për humbjen e dy testimeve të mëparshme, por ai u nxitua dhe e nënvlerësoi ndjeshëm situatën.
Personat e ngarkuar me kryerjen e testit pritën më kot, për ekzaktësisht një orë në shtëpinë e tij, por në banesën ku jetonte Christian Coleman nuk kishte drita dhe nuk dalloheshin fare lëvizje nga brenda saj. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë e shpjegoi uljen e çerekut të dënimit duke shtuar se pavarësisht se nuk kërkohet domosdoshmërisht nga rregullorja, atleti i mirënjohur amerikan Christian Coleman duhej të ishte kontaktuar në telefon gjatë kësaj ore, si një standard pak a shumë i vendosur edhe në rastet e mëparshme, me atletët e tjerë.



