Kastrati: Italia është shkollë për portierët, mund të arrijmë diçka të madhe
Portieri i kombëtares së Shqipërisë, Elhan Kastrati foli në konferencë për shtyp në kuadër të përballjes miqësore që kuqezinjtë e luajnë më datë 26 mars në stadiumin RCDE të Espanyol. Gardiani që është pjesë e Cittadellës në Serie B, theksoi se Italia është një shkollë shumë e mirë për portierët, ndërsa shtoi se në këto miqësore kombëtarja do të provojë të marrë rezultat dhe jo të mjaftohet vetëm me një performancë të mirë.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, kam qenë edhe njëherë më parë pjesë e kombëtares, por është hera e parë me Rejën, gjithnjë është krenari të përfaqësoj kombëtaren. Italia është një shkollë e mirë për portierët dhe jam rritur atje që i vogël, punohet pak më ndryshe se vendet e tjera dhe Itala nxjerr portierë me kualitet”.
Si të është dukur kombëtarja? “Shqipëria ka një grup me shumë kualitet, këtë e tregojnë rezultatet. Mund të arrijmë diçka të madhe në ndeshjet kualifikuese”.
Ndeshjet miqësore, dihet potenciali i Spanjës dhe Gjeorgjisë. Do të synohet rezultati? “Varet edhe nga kundërshtari, ndaj Spanjës është pak më e vështirë por do të japim maksimumin. Ndaj Gjeorgjisë edhe rezultati është i rëndësishëm, për Shqipërinë janë ndeshje ku duhet të japim maksimumin”.
Karriera me Cittadellën? “Është viti i dytë që jam atje, po luaj rregullisht. Këtë vit objektivi është të jemi në Play-Off dhe të synojmë Serie A. Jam i lumtur atje”.
Një apel për tifozët? “Ata janë më kryesorët për ne futbollstët dhe është e rëndësishme të na mbështesin, mbi të gjitha ndaj Gjeorgjisë në shtëpi. Do ishte bukur ta shikonim stadiumin plot”, u shpreh Kastrati.



