Kastrioti-Flamurtari dhe Laçi-Kamza ulin siparin e javës së 15-të
Java e 15-të e Kategorisë Superiore mbyllet këtë të dielë me dy sfidat e fundit që do të luhen në orën 14:00. Në Fushë-Krujë në stadiumin Redi Maloku, Kastrioti i Stavri Nicës pret Flamurtarin e Ilir Dajës që vjen në këtë sfidë me moralin e lartë pas fitores ndaj Partizanit. Miqtë janë favoritë për të marrë tre pikët dhe për t’iu afruar sa më tepër kreut të klasifikimit edhe pse përballë krutanëve që kanë treguar lojra të mira në ndeshjet e fundit, duhet pranuar se Flamurtari nuk do ta ketë të lehtë. Në Laç ndërkohë luhet një sfidë vërtetë e nxehtë mes kurbinasve dhe Kamzës që ka nevojë urgjente për pikë. Ernest Gjoka do të kërkojë pikët e para në stolin e Kamzës pikërisht në Laç por nga ana tjetër skuadra e Migen Memellit kërkon të mos i ndahet Teutës dhe ta ngushtojë në vetëm 2 pikë diferencën me Skënderbeun e vendit të dytë. Barazimi nuk vlen shumë në këtë duel dhe si Laçi ashtu edhe skuadra nga periferia e kryeqytetit do të luajnë për të marrë tre pikët.



