Kategoria Superiore

Kastrioti–Flamurtari, finalja e radhës për krutanët!

Garën e mbijetesës e ka bërë më interesante këmbëngulja e Kastriotit për të vijuar deri në fund luftën. Krutanët kanë vlerësuar si finale çdo javë, duke arritur në xhiron e 33-të të kampionatit me shpresa të mëdha për të qëndruar mes më të mirëve. Ndaj Flamurtarit është një tjetër finale, akoma më e rëndësishme duke parë që numërimi mbrapsht i kampionatit po vjen drejt fundit. 4 javë janë shumë pak për të rikuperuar 5 pikë disavantazh ndaj dyshes Tirana–Luftëtari, dhe për këtë arsye përballja me Flamurtarin është shumë e rëndësishme, një finale e vërtetë.

Vlonjatët luajnë për të siguruar vendin e tretë në klasifikim, por në transfertën e Redi Malokut shkojnë me mungesa të shumta. Pavarësisht problemeve me financat kuqezinjtë kanë bërë një kampionat për t’u admiruar deri më tani. Koliçi, Kotobelli dhe Sukaj janë mungesat e sigurta për trajnerin Ilir Daja që gjithashtu duhet të vlerësojë gjendjen e Bathës dhe Cale.

Në krahun tjetër mbrojtësi i djathtë Hussein Lukman do të jetë mungesa e vetme për Bledar Devollin, pasi ka plotësuar numrin e 4 kartonave të verdhë. Barazimi në sekondat e fundit nga Laçi i ka dhënë një goditje psikologjike skuadrës krutane, e cila aspektin psikologjik ka patur armën më të fortë këtë kampionat, duke u ngritur pothuajse nga zero për të vijuar luftën. Këtë sezon skuadrat kanë ndarë pikët në tre ndeshjet e luajtura, pasi Flamurtari fitoi 4-0 në fazën e parë, Kastrioti 1-0 në të dytën dhe faza e tretë dhuroi barazimin 1-1 në Vlorë.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency