Kastrioti, java që e penalizon për mbijetesën!
Kastrioti tentoi të merrte të paktën një pikë në transfertën e Niko Dovanës përballë Teutës, por në fund iu nënshtrua fatit duke humbur sfidën me një autogol. Sikur të mos mjaftojë ky rezultat, lajmet e këqija vijnë edhe nga rivalët që në xhiron e javës së 26-të dolën me pikë. Luftëtari kishte një sfidë të vështirë përpara teksa priste Skënderbeun e rigjeneruar pas suksesit me Kukësin. Megjithatë bluzinjtë morën pikët e plota duke sjellë qetësinë e munguar në Gjirokastër për të kaluar presionin drejt Krujës. Ngushëllimi tek Kastrioti mund të vijë për barazimin në sekondat e fundit të Tiranës, që nuk shfrytëzoi faktorin fushë për të dalë me tre pikët ndaj Laçit. Megjithatë Tirana shihet si një skuadër me potencial dhe vështirë se mund të përsërisë gabimin e dy edicioneve më parë. Një situatë e tillë ka sjellë pesimizëm në Krujë, pasi diferenca me Tiranën është 6 pikë dhe Luftëtarin 7-të. Nëse gjirokastritët do i presin në shtëpi mesjavën e ardhshme, me Tiranën dueli i fazës së 4-ët luhet në Selman Stërmasi aty ku mbështetja e tifozerisë bardheblu nuk mungon. Përtej tre pikëshit me Kamzën që Kastrioti do ta sigurojë në tavolinë ashtu si të gjitha skuadrat, formacioni i Bledar Devollit ka në favor faktin që 5 nga 9 sfidat e tjera do t’i luajë në stadiumin Redi Maloku, duke nisur që nga dueli me Kukësin. Edhe pse shanset minimizohen me kalimin e javës, në Krujë nuk janë dorëzuar ende dhe shpresojnë tek mrekullia e mbijetesës pavarësisht se nga java 26-të dolën të gjymtuar.



