Kategoria Superiore

Kastrioti–Kukësi, finale për objektiva të kundërt

Prej disa sezonesh, diferencat në kampionatin shqiptar janë shkurtuar ndjeshëm, me pretendentët për titull që duhet të djersijnë shumë për të marrë fitoren ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla. Kjo javë paraqet një duel të tillë në “Redi Maloku” të Fushë Krujës. Kastrioti, me statusin e skuadrës vendase, që lufton për mbijetesë, pret Kukësin e pretendimeve të mëdha. Krutanët kanë ndryshuar shumë këtë vit kalendarik me rezultatet që kanë ndezur shpresën e mbijetesës mes më të mirëve.

Humbja me Teutën javën e kaluar e largoi disi skuadrën e “Bledar Devollit” nga ndjekësit dhe për këtë arsye sfida me Kukësin shihet si një finale e parakohshme. Llogaritë në Krujë i bëjnë për të fituar çdo ndeshje në shtëpi, pavarësisht emrit të kundërshtarit, dhe këtu nuk bën përjashtim as vendi i dytë.

Verilindorët nuk shfrytëzuan përballjen direkte me Partizanin për të shkurtuar diferencën, megjithatë ai barazim nuk i demoralizon, duke vijuar ende me dëshirën për t’i shkuar deri në fund misionit titull.

Edhe për nënkampionët kjo është një finale e parakohshme, pasi, në rast se nuk kthehen tek fitorja, atëherë me shumë mundësi titulli do të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Një sfidë e veçantë është edhe për trajnerin e përkohshëm të Kukësit, Ramazan Ndreu, që karrierën e tij si trajner e bazoi pikërisht te Kastrioti, skuadra e qytetit të tij.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency