Kastrioti–Luftëtari, 90-minutësh mbijetesë në Fushë Krujë
Kastrioti – Luftëtari është një sfidë shumë e rëndësishme, madje, nëse do të heqim një paralelizëm, ka të njëjtën peshë si ajo e të hënës midis Partizanit dhe Skënderbeut. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për cilësinë e skuadrave dhe lojën që mund të prodhojnë, por ashtu si ajo e “Selman Stërmasit” mbetet një sfidë direkte për objektivin final, që është mbijetesa. Krutanët vijnë nga humbja me Kukësin, ku zhvilluan një lojë shumë të mirë, e cila u shqoërua me dorëheqjen e ish-trajnerit Elvis Plori.
Drejtimin e Kastriotit e ka marrë Stavri Nica, megjithatë debutimi i tij në krye të skuadrës mund të shtyhet për shkak të dënimit që trajneri durrsak ka marrë nga Komisioni i Disiplinës në kohën kur drejtonte Burrelin. Në dispozicion të Nicës ka qenë i tërë grupi futbollistëve, që shpreson te rikthimi i fitores. Në krahun tjetër, Luftëtari udhëton me mungesën e mbrojtësit të djathtë Lejdi Liçaj, i cili është pezulluar për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Trajneri Gentian Mezani ka marrë lajmin e mirë të boshatisjes së infermierisë. Janicic, Aleksi, Rroca dhe Shkurtaj janë të gatshëm për timonierin vlonjat. Dueli i fazës së parë, i luajtur në Gjirokastër, u mbyll me fitoren surprizë të Kastriotit, ndërkohë që shqetësuese për të dyja skuadrat pritet të jetë terreni i fushës, për më tepër që një ditë përpara ishte programuar për t’u luajtur në “Redi Maloku” sfida e Kategorisë së Parë mes Ilirisë së Fushë Krujës dhe Dinamos.



