Kastrioti ndaj Tiranës për të mbajtur të hapur “luftën” për mbijetesë
Një kampionat mund të jetë ekzaltues, i mërzitshëm, i luftuar apo i mbyllur pa ardhur faza finale. Të gjithë ata që e ndjekin futbollin e përjetojnë me shumë këtë sport nëse ka betejë deri në frymarrjen përfundimtare dhe në këtë pikë një skuadër në Kategorinë Superiore e ka kthyer në mision zgjatjen e garës për mbijetesë. Me përjashtimin e Kazmës nga kampionati i më të mirëve, Kastrioti është i vetmi ekip që mund ta vendosë në vështirësi Luftëtarin dhe një sfidë vendimtare për krutanët do të jetë ajo e kësaj fundjave ndaj Tiranës. Nëse skuadra e Devollit dorëzohet atëherë diferenca me gjirokastritët do të shkonte në 7 pikë, c’ka praktikisht do të përkthehej në fundin e betejës së parë të Superiores dhe atëherë fokusi do të qëndronte vetëm tek titulli dhe lufta për Europë.
Në këtë përballje vendimtare jo vetëm për Kastriotin, por në tërësi për emocionet e garës së Superiores që rrezikon ta mbyllë luftën për qëndrimin në kategori që në mes të marsit, krutanët vijnë me armatë të plotë, ndërkohë që presin “ok” e komisionit të licensimit në lidhje me fushën sportive “Redi Maloku”. Nëse do të luhet në Fushë-Krujë atëherë klubi do ta paguajë gjysmën e dënimit dhe do të ketë tifozë në stadium, në të kundërt Kastrioti–Tirana do të zhvillohet me dyer të mbyllura.



