Katër ndeshje në SuperSport, spikat Serbi-Portugali
29 tentativa dhe 15 gjuajtje në kuadrat, por thjesht një gol i vetëm i realizuar në portën e Azerbajxhanit, madje për hir të së vërtetës edhe në atë rast bëhet fjalë për një autogol. Filloi pikërisht në këtë mënyrë aventura e radhës për përfaqësuesen e Portugalisë, në sfidat kualifikuese të kampionatit të ardhshëm botëror, faza finale e të cilit do të zhvillohet vitin tjetër në Katar, në muajt nëntor – dhjetor.
Që nga disfata me Zvicrën në Stadiumin St. Jakob – Park të Bazelit në eliminatoret e fundit të Kupës së Botës kombëtarja luzitane rreshtoi plot 9 fitore radhazi, përfshirë edhe duelin e drejtpërdrejtë me përfaqësuesen helvete, në takimin përmbyllës, për t’u kualifikuar për në botërorin rus falë golaverazhit më të mirë, kundrejt ekipit të drejtuar nga trajneri Vladimir Petkovic.
Në “Allianz Stadium” të qytetit të Torinos skuadra e veteranit Fernando Santos e kontrolloi sferën për më shumë se 2/3 e kohës, megjithatë treshja Bernardo Silva – Cristiano Ronaldo – Andre Silva bashkë me sulmuesin tjetër Joao Felix që zbriti në fushë si zëvendësues nuk ia doli dot për të gjetur rrjetën, kështu që portugezët falenderuan pikërisht mbrojtësin e Qarabagut Maksim Medvedev, i cili në pjesën e parë e devijoi topin në mënyrë të pavullnetshme në portën e tij. Fitorja e dhjetë rresht në sfidat eliminatore të fazës së grupeve për Kupën e Botës e mban kombëtaren luzitane në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm të Grupit A, pas Serbisë, që të mërkurën në mbrëmje përmbysi në Beograd disavantazhin e një goli të shpejtë, për të mposhtur 3-2 brenda në Stadiumin Rajko Mitic përfaqësuesen e Republikës së Irlandës, falë kontributit të çmuar dhe dy golave të njëpasnjëshëm të shënuar në pjesën e dytë nga sulmuesi i Fulham-it Aleksandar Mitrovic, që hyri në fushë pas një ore loje, për t’i dhënë qetësinë e nevojshme skuadrës së drejtuar nga ish-futbollisti i famshëm i ish-Jugosllavisë Dragan Stojkovic.
Çerek shekulli më herët “Piksi” mbante shiritin e kapitenit dhe ish-mesfushori i mirënjohur i “bluve” e ndihmoi përfaqësuesen e Ish-Jugosllavisë për t’u kualifikuar për në botërorin e 1998 në Francë, ndërsa tani 56-vjeçari nga Nishi ka nderin për ta drejtuar vetë ekipin kombëtar të vendit të tij.
Serbia ka privilegjin për ta zhvilluar takimin e radhës sërish në kryeqytet, në orën 20:45, gjithsesi këtë herë vendasit do të kenë përballë jo vetëm kundërshtarin më të fortë por gjithashtu edhe ekipin favorit për të prenotuar biletën për në Katar, nëpërmjet vendit të parë. Ndeshja do të luhet përsëri në stadiumin “Marakana” të Crvena Zvezda-s dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Danny Makkelie.
Këtë herë vendasit nuk kanë luksin për t’iu lejuar miqve ato hapësira që iu lanë në dispozicion futbollistëve irlandezë, duke patur parasysh kundërsulmin e shpejtë dhe cilësitë e skuadrës portugeze. Skuadra luzitane nuk është aq fizike sa Irlanda e Stephen Kenny-t, por 66-vjeçari nga Lisbona mund të mbështetet te zhdërvjelltësia, harmonia, përshtatja, mirëkuptimi dhe loja kombinative e lojtarëve të tij. Portugalia ka një ndër skuadrat më të talentuara në planet dhe pozicionohet në vendin e pestë në renditjen botërore të FIFA-s, ndërkohë Serbia për momentin klasifikohet në vendin e 30.
Natyrisht në Torino trajneri veteran e ruajti pjesën më të madhe të skuadrës, duke patur parasysh sfidën me Serbinë, që përfaqëson edhe pengesën më të vështirë në këto ndeshje kualifikuese, sidoqoftë një stol të bollshëm ka në krahun tjetër gjithashtu edhe tekniku Dragan Stojkovic. Kohë për të rekuperuar nuk është se ka shumë, pasi kalendari është ngjeshur enkas në këtë mënyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Të martën në mbrëmje Serbia do të masë forcat me Azerbajxhanin në Baku, ndërsa përfaqësuesja luzitane pritet të ketë “një shëtitje në park” jashtë fushe me Luksemburgun, në stadiumin Josy Barthel.
“Piksi” i ka të gjithë në dispozicion, ndërsa te Portugalia mungojnë emra të tillë si Pepe, Rui Patricio dhe Raphael Guerreiro. Në 6 përballjet Serbi – Portugali gjysma e ndeshjeve është mbyllur me shifrat e barabarta 1-1, ndërsa gjysmën tjetër e kanë fituar futbollistët luzitanë. Nën drejtimin e veteranit Fernando Santos Portugalia ka fituar 2-1 dhe 4-2 respektivisht në dy vizitat e fundit në Beograd në vitet 2015 e 2019, ndëkaq duke shtuar edhe sfidat me Ish-Jugosllavinë disfatën e vetme në përballjet ndërmjet tyre ekipi luzitan e ka pësuar 61 vjet më parë, në Beograd me rezultatin e thellë 5-1.
Belgjika vijon të kryesojë në renditjen botërore me 25 pikë më shumë se Franca, e në fakt “djajtë e kuq” e nisën me këmbën e mbarë edhe aventurën e tyre për ndeshjet kualifikuese të kampionatit të ardhshëm botëror Katar 2022. Belgjika ka fituar 29 nga 34 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet, duke e mbyllur madje edhe botërorin e fundit në podium. Të mërkurën në mbrëmje skuadra e drejtuar nga spanjolli Roberto Martinez përmbysi në shtëpi “dragonjtë” e Uellsit, për të triumfuar me shifrat 3-1, ndërkohë po në mesjavë Republika Ceke fluturoi në vendin e parë në Grupin E, falë fitores së thellë 6-2, ndaj Estonisë në Lublin, ku gjysmën e golave e realizoi mesfushori i ri i “çekanëve” të West Ham-it Tomas Soucek.
Republika Çeke renditet në vendin e 42 në rruzull dhe pavarësisht progresit të kohëve të fundit vlen të theksohet fakti që cekët nuk e kanë mundur kurrë Belgjikën në ndeshje kompetitive. Vendasit kanë shënuar vetëm 2 gola gjithsej në 6 sfidat ndërmjet tyre, sidoqoftë takimi këtë herë do të zhvillohet në orën 20:45 në Eden Arena, apo Sinobo Stadium të Pragës. Po me 3 gola në listën e golashënuesve kryeson gjithashtu edhe sulmuesi 35-vjecari i Lilës Burak Yilmaz. Kapiteni i Turqisë ishte arkitekti i fitores së madhe 4-2 që skuadra e drejtuar nga trajneri Senol Gunes regjistroi në Stadiumin Olimpik Ataturk të Stambollit ndaj Holandës.
Në grupin G tani udhëheqin për momentin me pikë të plota Norvegjia, Turqia dhe Mali i Zi, kështuqë me interes të vecantë priten pikërisht sfidat e orës 18:00 Holandë – Letoni dhe Norvegji – Turqi, që do të luhen respektivisht në Amsterdam dhe Malaga.



