Kattar mposht bindshëm Ige dhe regjistron suksesin e dytë në kohë pandemie
Calvin Kattar mposhti me vendim unanim rivalin e tij Dan Ige, duke regjistruar fitoren e 22 në karrierë në artet e përziera marciale. Dueli ndërmjet dy sportistëve amerikanë zgjati deri në fund për plot pesë raunde, madje në çastet e fundit 32-vjeçari nga Massachusetts e goditi kundërshtarin e tij me gju, Dan Ige rrëshqiti përtokë dhe Kattar e mbërtheu nga sipër, duke lëshuar grushte poshtë vetes me sa fuqi që kishte. Koha mbaroi dhe ndeshja përfundoi pikërisht në ato çaste.
Deri në ato momente Kattar kishte bërë mjaftueshëm për të siguruar fitoren, megjithatë “the boston finisher” përsëri tentoi deri në fund, për ta mbyllur ndeshjen përpara kohe, madje edhe në sekondat e fundit. Në “Abu Dhabi” Kattar fitoi me vendim unanim 49-46, 49-46 dhe 48-47 me pikë në peshën nga 61-66 kg, në “main event”-in e mbrëmjes në UFC në Yas Island, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjyqtarët Ben Cartlidge dhe Mark Collett i dhanë 32-vjeçarit çdo raund, me përjashtim të 5’ të dytë, ndërsa arbitri tjetër Dave Lethaby e konsideroi rivalin e tij Dan Ige si fitues të raundit të dytë dhe të tretë.
Mënyra e boksimit të Calvin Kattar bëri diferencën, sidomos forca e tij goditëse dhe 28-vjeçari nga Ishujt Hawaii e përfundoi takimin në raundin e pestë me pjesën e syrit të djathtë të mbyllur krejtësisht, nga enjtja e madhe. Përpara këtij takimi Kattar pozicionohej i teti në MMA në këtë lloj peshe, sidoqoftë pas kësaj fitoreje “the boston finisher” u afrua akoma më tepër me titullin.
Ky është triumfi i dytë për Calvin Kattar që pas shpërthimit të virusit COVID-19 dhe kurioz është fakti që Kattar është i vetmi sportist që krenohet me dy fitore që nga momenti i përhapjes së pandemisë së koronavirusit, duke marrë në konsideratë gjithashtu edhe suksesin në sfidën e 9 majit në Florida në Jacksonville ndaj bashkëkombësit të tij Jeremy Stephens, ndeshje e zhvilluar në mbrëmjen UFC 249 dhe e fituar që në mesin e raundit të dytë, me knock out teknik.
Ditën e shtunë në mbrëmjen tjetër UFC 251 Alexander Volkanovski mbrojti me sukses titullin në peshën deri 66 kilogram, teksa mundi ish-kampionin Max Holloway dhe në fakt pas triumfit ndaj Dan Ige i intervistuar në fund të takimit nga Jon Anik Kattar shpjegoi se janë të shumtë sfidantët që janë duke i kërkuar ndeshje 31-vjeçarit, por ai pa iu dridhur aspak qerpiku shfrytëzoi rastin për të “hedhur dorashkën” duke e ftuar menjëherë në duel kampionin australian.
Calvin Kattar u paraqit në këtë sfidë me 3 fitore në 4 ndeshjet e fundit, gjithsesi pas këtij triumfi tashmë 32-vjeçari nga Massachusetts krenohet me 6 fitore në 8 takimet që ka zhvilluar në total në Ultimate Fighting Championship. Dy disfatat e vetme Kattar i ka pësuar me rusin Zabit Magomedsharipov në Moskë, si dhe me brazilianin Renato Moicano në Brooklyn. Në krahun tjetër kjo është humbja e e parë për 28-vjecarin nga Ishujt Haëaii në UFC, që nga ndeshja e tij e debutimit në janarin e vitit 2018 me Julio Arce-n në Boston.



