“Kemi dy mungesa”, Shehi: Laçi rival i vështirë, kam një kërkesë për ekipin
Tirana përballet me Laçin nesër (13:45) në Kurbin, në një nga transfertat më të komplikuara në Abissnet Superiore. Bardheblutë kryesojnë me 27 pikë pas javës së 12-të. Trajneri Orges Shehi foli për mediat rreth duelit ndaj bardhezinjve, duke vlerësuar forcën e kundërshtarit.
“Ndeshje me shkallë vështirësie të lartë, Laçi ka ekip të mirë, ka lojtarë cilësorë dhe në javët e fundit ka bërë shumë mirë.
Tirana? Gjendja e skuadrës është e mirë, jemi stërvitur me përqendrim shumë të madh. Nuk kemi rikuperuar Xhixhën dhe Përgjonin, të tjerët janë të gatshëm.
Nuk ndikohemi nga presioni, kundërshtarët kanë punën e tyre, por jemi të përqendruar vetëm te ajo që bëjmë ne. Në krahasim nga faza e parë, kemi bërë më mirë në 3 ndeshjet e para, kemi marrë 7 pikë.
Laçi është një rival i joni sa i përket cilësisë së skuadrës. Është me e lehtë të luash përballë rivalëve direkte, pasi ata luajnë futbollin e tyre. Problem do të jetë vetëm nëse nuk japim çfarë kemi.
Kundërshtari ka pikë më shumë në krahasim me fillimin e fazës së parë. Është ndeshje e vështirë, për shkak të cilësisë, ndryshimit dhe pikëve që ata kanë marrë.
Nuk mendoj se duhet të kemi vetëkënaqësi, na presin shumë ndeshje. Është e vështirë të krijosh diktatin, por ne kemi bërë mirë. Nuk duhet të humbim asnjëherë përqendrimin dhe vlerësimin për kundërshtarin”, përfundoi Orges Shehi.



