Kërcënimi i Moggit: Te Partizani, të gjithë në provë deri në janar!
Lamtumirë Mark Juliano, mirë se vjen, sërish, Sulejman Starova! Merr fund pas 9 javësh kampionat aventura e ish-mbrojtësit të Juventusit te Partizani. Vendi i 6-në renditje me vetëm 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje nuk janë një klasifikim për historinë dhe projektin prej miliona eurosh të Partizanit. Humbja e fundit me Kamzën rezultoi fatale, me-ish mbrojtësin e Juventusit që paguan mungesën e rezultateve. Një ndër mëkatet e faturuara është dhe mungesa e njohjes së kampionatit, me klubin që pikërisht për këtë arsye ka zgjedhur të risjellë në stol atë që Partizanin e njeh ndoshta më mirë se cdo trajner, pasi ka qenë aty gjithë këto vitet e fundit, Sulejman Starovën. Supersport ka marrë i pari lajmin, me ideatorin e projektit aktual, Luciano Moxhi, që ka bërë të ditur gjithchka në një intervistë ekzkluzive për platformën më të dashur sportive për gjithë shqiptarët.
Folëm dhe morëm një vendim të rëndësishëm. Folëm me trajnerin Mark Iuliano dhe së bashku arritëm në përfundimin se ai që nga java e ardhshme nuk do të jetë trajneri i Partizanit dhe në vend të tij do të vijë Starova, që, praktikisht, e njeh mirë kampionatin, i njeh mirë lojtarët në dispozicion. Nuk mund ta qortojmë për asgjë, veç për rezultat trajnerin në ikje, që ka patur probleme me sulmuesit, me lojtarë të dëmtuar që nuk mendoheshin. Çanin nuk e kemi akoma, u dëmtua dhe Sukaj, ndaj është e vështirë ta ngarkosh me përgjegjësi, por në futboll kështu është jeta, ndryshohet një trend për të gjetur më shumë entuziazëm, dhe për të gjetur forcë për të marrë rezultatet, që deri tani na kanë ikur.
Një mesazh qetësie edhe për tifozët e Partizanit, vecanërisht kritikë me ecurinë e skuadrës, sidomos në këto javët e fundit. Moxhi shfaqet i bindur se Partizani do të dijë të ringrihet aty ku i takon, duke i ftuar të gjithë që bilancet të bëhen në fund të sezonit.
Është një problem që me siguri do ta zgjidhim, Partizani me siguri në fund do të jetë mes skuadrave të rëndësishme, për këtë nuk ka dyshim, pasi nëse ka lojtarë që nuk janë përdorur, shpresojmë t’i përdorim, si puna e Çanit, dhe nëse nuk përdoren do të zëvendësohen. Jemi vetëm në fillim, ndaj të japësh për të mbaruar një gjë në fillim është gjithmonë antipatike. Unë jam mësuar të jap konceptin final. Kur mbaron kampionati të themi se çfarë kemi bërë në aspektin ekonomik dhe atë sportiv, ndaj po e shtyj për ekzaktësisht atë kohë gjykimin.
I takon Sulejman Starovës të ndryshojë kurs. Njeri i shtëpisë së kuqe, trajneri i fundit që ka sjellë titullin kampion te Partizani. Gjithmonë aty, në stol, apo në rolin e këshilltarit, por cilët do të jenë objektivat për 61-vjecarin, ndërkohë që situata është vecanërisht delikate dhe klasifikimi “qan”.
Ka objektivin për t’u përmirësuar, për këtë nuk ka dyshime. Kur bëhet një ndryshim trajneri, praktikisht entuziazmi është më i madh nga ana e lojtarëve, pasi duan t’i tregojnë trajnerit të ri se duan të jenë titullarë etj. Ndryshon atmosfera, ndoshta do të ketë më pak frikë se humbasim, pasi trajneri i ri do të influencojë pozitivisht te skuadra dhe kjo është ajo që ndodh gjithmonë kur ndryshohet trajneri, është praktikisht një problem psikologjik, që vështirë të përkufizohet, por është kështu që kur ekziston futbolli.
Rebusi i stolit është zgjidhur e megjithatë problemi nuk është ekzkluzivisht i drejtimit teknik. Në fokus të kritikave ka qenë dhe performanca e lojtarëve. Moxhi këtu është i drejtëpërdrejtë, të gjithë kanë kohë për të provuar se vlejnë për fanellën e rëndë deri në merkaton e janarit.
Në janar, tani praktikisht lojtarët që kemi, kanë mundësinë të demonstrojnë veten. Kush ia del të tregojë vlerat, qëndron, ata që nuk ia dalin, të provojnë ikin, dhe ndoshta do të zëvendësohen nga të tjerë.
Një ultimatum për të gjithë, Partizani duhet të ndryshojë kurs, duke filluar që nga ndeshja e radhës përballë Lacit. Starova e rinis nga aty ku filloi rënia e Iulianos.



