Këshilli administrativ i Juventus pranon bilancin negativ, humbja më e madhe në histori
Është padyshim një moment “Jo” për Juventusin. Zhgënjimi prej rezultateve në këtë fillim sezoni, është pasqyruar edhe në bilancet e klubit për sezonin 2021-2022. Në mbledhjen e Këshillit administrative të kryesuar nga ana e Andrea Agnellit është miratuar një humbje prej 254.3 milionë euro.
Më e larta e regjistruar ndonjëherë në historinë e Juventus me klubin që është “zhytur” prej disa sezonesh në një keqmenaxhim financiar (hera e pestë radhazi që bilnaci është negative) teksa një kosto e lartë në bilanc janë edhe pagat e futbollistëve të cilët fitojnë miliona edhe pse nuk kontribuojnë në fushë duke rezultuar jashtë projekti. Mirëpo, duke pasur kontrata afatgjate dhe milionere nuk pranojnë të largohen, duke rënduar italianët që tashmë vuajnë pasoja e administrimit të gabuar të ekipit.
Një tjetër faktor që rëndon Juventusin janë edhe të drejtat televizive të cilat u ulën ndjeshëm pas COVID-19, po ashtu edhe biletat me stadiumin që u boshatis gjatë pandemisë, ndërsa tashmë nuk mbushet si më parë. Aktualisht, Juventus fiton 34 milionë euro nga stadiumi, por në sezonin 2018-2019 kjo shifër ishte 74 milionë euro.



