Kili në gjysmëfinale, nuk e ndali dot as VAR-i
“Ruleta” e 11-metërshave i dha kualifikimin Kilit në gjysmëfinale të Copa Americas. “La Roja” arriti t’i eliminonte Kolumbinë në frymën e fundit, ose më saktë në serinë e 5-të se penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola.
I takoi Alexis Sanchezit që në goditjen e fundit, fill pas gabimit të Tesillos, të çonte në ekstazë fituesit në fuqi të kompeticionit, që duhet pranuar, për atë që dhanë në fushën e blertë, e merituan kualifikimin.
Edhe në këtë superpërballje protagonist absolut u bë sistemi VAR, që vodhi shfaqen duke anuluar dy gola të Kilit, një në çdo pjesë.
Në minutën e 17-të, Aranguiz e dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari Pitana, pasi pa pamjet e përsëritura, dalloi një pozicion jashtë loje, ndonëse ishte në limit.
Sikur të mos mjaftonte ky episod, në minutën 70-të, kryesori Nestor Pitani iu referuar sërish VAR-it pas golit të shënuar nga Arturo Vidal, duke e shfuqizuar për prekje të topit me dorë nga Guillermo Maripán.
Gjithsesi, fati nuk e braktisi Kilin. Vidal, Vargas, Pulgar, Aranguiz dhe Sanchez u treguan të saktë përballë portierit Ospina, ndërsa për Kolumbinë, i vetmi që gaboi ishte Tesillo, pikërisht në penalltinë e 5-të.
Në gjysmëfinale Kili do të përballet me fituesin e çiftit Uruguai-Peru, që do të luhet sonte, në orën 21:00.



