Klauzola e çuditshme e Liverpoolit për t’u mbrojtur nga Barça
Nëse Barcelona do të blinte ndonjë lojtar të Liverpoolit përpara vitit 2021, atëherë katalanët janë të destinuar të paguajnë shifra faraonike. Kjo është në një farë mënyre “hakmarrja” e klubit anglez të Premier League-s për transferimin e Philippe Coutinhos në “Camp Nou” në fillim të këtij viti me anglezët që e kanë përfshirë klauzolën në marrëveshjen mes palëve.
Në këtë mënyrë, nëse katalanët dëshirojnë shërbimet e ndonjë prej lojtarëve te Liverpooolit, atëherë duhet të paguajnë 100 milionë euro mbi vlerën e marrëveshjes hipotetike. Kjo nënkupton se, nëse “blaugranat” do të kishin ndonjë ambicie për të marrë “Messin” e Egjiptit në organikën e tyre, pra sulmuesin Mohamed Salah, do ta kishin thuajse të pamundur kalimin e tij në “Cmap Nou” po të marrin në referencë çmimin e kartonit të tij në treg me një vlerë prej 150 milionë eurosh.
Me klauzolën e nënshkruar mes klubeve në janar të vitit 2018, atëherë çmimi i sulmuesit egjiptian për Barçën do të shkonte në 250 milionë euro, çka do ta bënte atë një prej blerjeve më të shtrenjta në historinë e futbollit. Duket se me këtë detaj të përshirë në marrëveshjen mes palëve gjatë kalimit të Coutinhos nga “Anfiled” në “Camp Nou”, Liverpooli i ka siguruar vetes qetësinë e nevojshme për të mos u shqetësuar nga rivalët spanjollë për dy sezonet e ardhshme.



