Klopp, Brazili dhe fjalë zemre për Cityn, Guardiola: Unë më i miri? Sa bukur do ishte…
“Guardiola është trajneri më i mirë në botë, nuk duhet të ketë fare diskutime për këtë çështje. Nuk arrij t’i kuptoj dyshimet e askujt në lidhje me këtë temë”, deklaroi Jurgen Klopp në konferencën për shtypin përpara finales me Manchester City.
Dy skuadrat më të forta në Angli do të përballen me njëra-tjetrën në “Etihad Stadium” të dielën (17:30), sfidë që do të transmetohet në Supersport 2. Spanjolli ka reaguar pas elozheve të homologut gjerman, duke deklaruar:
“E falënderoj nga zemra Klopp, por nuk jam unë trajneri më i mirë. Do doja ta thoja edhe unë se jam më i miri, por nuk është e vërtetë. E admiroj shumë Liverpoolin dhe atë që bën skuadra. Të dy skuadrat janë të forta, ne duhet të identifikojmë pikat e tyre të dobëta, që sinqerisht janë shumë të pakta”.
City kryeson me 70 pikë, por “The Reds” numërojnë vetëm një pikë më pak, kështu që të dielën do të përjetojmë një sfidë të zjarrtë në Angli. Guardiola është ëndrra e madhe e drejtuesve të Federatës Braziliane të Futbollit.
Tite do të largohet nga drejtimi i kombëtares pas Botërorit Katar 2022 dhe pesë herë kampionët e Botës dëshirojnë t’i besojnë stolin 51-vjeçarit katalanas. Gjithsesi, Guardiola ka ide të tjera rreth së ardhmes së tij.
“Nuk e di nga kanë dalë këto zëra. Ndodhem nën kontratë me Manchester City (2023), jam shumë i lumtur këtu. Jam i gatshëm të qëndrojë përjetë te ky klub. Do firmosja edhe për 10 vite të tjera, por nuk është ky momenti”, deklaroi trajneri i “Cityzens”, ekip me të cilin ka fituar tre herë Premier League.



